Nga Ministria e Mjedisit Јetësor dhe Planifikimit Hapësinor i janë përgjigjur reagimeve të Irena Vitinës, këshilltares në Qytetin e Shkupit, e cila pas njoftimit të ministrit Mexhiti për furnizimin me 6 autobusë elektrik, tha se ky projekt është i Qytetit të Shkupit, përcjell TV21. Nga MMJPH këto deklarata i vlerësojnë si “tendencioze, ofenduese dhe që synon uljen e besueshmërisë së institucionit dhe ministrit Izet Mexhiti”.
“Prokurimi i këtyre autobusëve është vetëm një aktivitet nga aksioni i programit të BE-së për standarde mjedisore dhe ajër të pastër dhe është pjesë e programit të plotë për Mjedisin Jetësor dhe Veprimin Klimatik në kuadër të IPA 3 ndihmës nga BE. Aktivitetet e këtij Programi janë programuar me propozim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në koordinim me të gjitha palët e përfshira, përfshirë këtu edhe Qytetin e Shkupit, të miratuar nga Qeveria e RMV dhe të pranuar nga Komisioni Financiar i BE-së. Programi për ajër të pastër përmban disa komponentë, për të cilët kemi informuar disa herë, se zbatohet nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të Delegacionit të Bashkimit Evropian. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor është përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të Programit dhe është përfituese e tij, ndërsa Qyteti i Shkupit është vetëm përfituesi përfundimtar i këtij aktiviteti. Theksojmë se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor programon të gjitha aktivitetet që financohen nga instrumenti i BE-së IPA, monitoron zbatimin dhe raporton në Komisionin e BE-së për qëllimet e arritura nga zbatimi i projekteve IPA”, theksojnë nga MMJPH.