Sistemi i drejtësisë mbetet më i dështuari në dy qeverisjet e fundit. Nëse karta më e fortë me të cilën erdhën në pushtet LSDM-ja dhe BDI-ja ishte se do të vendoset drejtësi dhe do të zbardhë rastet e montuara, fatkeqësisht po ik edhe kjo qeveri dhe asnjë lëndë nuk u zbardh dhe realizua nga premtimet e partive politike shqiptare që premtonin se do të kërkojnë hetim ndërkombëtar.
Me fillimin e publikimit të ashtuquajtura “bomba” nga ana e kryetarit të LSDM-së, doli në pah se nga përgjimet e kryera se shumë nga rastet më të rënda të gjyqësorit ishin raste të montuara, ndërsa një numër i pushtetarëve dhe funksionarëve ishin të zhytur në krim të organizuar dhe korrupsion, shkruan zhurnal.mk.
Kryeministri Zaev, gjatë publikimit të asaj që njihej si “aferë e përgjimeve” në vitin 2015, disa muaj pas vrasjes së pesëfishtë në Smillkovë, kishte deklaruar se posedonte materiale se rasti “Monstra” është i montuar dhe se në burg po mbaheshin njerëz të pafajshëm, por deri më tani provat që ai pretendonte se i posedon, nuk janë publikuar.
Për këtë arsye u themelua Prokuroria Speciale Publike e cila duhej që të vazhdojë hetimet dhe ngrejë padi për të gjithë ish-funksionarët politikë dhe ata aktual, për të cilët ka dyshime se janë të përfshirë në vepra kriminale.
Prokuroria Speciale ishte institucioni i cili ngjalli shpresë tek shqiptarët ku priteshin të fillojnë hetimet për rastet më të ndjeshme që i tangonin shqiptarët, siç janë rastet Monstra, Sopot , Brodec si dhe ngjarjet e Kumanovës.
Por, Prokuroria Speciale doli një fiasko, që dëshmoi se çfarëdo që të vendoset në Maqedoninë e Veriut, sërish është e vështirë të zbradhet ndonjë rast, e në veçanti ku ka të bëjë me gjyqësinë.
Edhe pse kishte shpresa se askush nuk do të mund të amnistohet, dhe të gjithë ata të cilët kanë kryer vepra kriminale do të duhet të përballen me drejtësinë deri më sot thuajse nuk ka asnjë epilog për ndonjë nga rastet e iniciuara.
Pasi u dënuan me burgim të përjetshëm pjesëtarët e grupit “Monstra”, avokati dhe të burgosurit kërkojnë që Gjykata Supreme të marrjësë vendim përfundimtar nëse kjo lëndë do të kthehet në ri-gjykim ose jo. Përkundër faktit që Prokuroria nuk duket bashkëpunuese dhe kërkon të refuzohen ankesat, ka një sërë dëshmish që ky rast është tërësisht i montuar.
Për këtë gjykim u kërkua edhe një hetim ndërkombëtar, por edhe pse u premtua një gjë e tillë nga partitë politike, sërish nuk ka një iniciativë të tillë.
Ekspertizat për këtë rast janë kryer në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe s’mund të kenë vlerë juridike, kërkon avokati i lëndës, dhe nëse lënda kthehet në ri-gjykim, ekspertizat të realizohen nga ekspertë ndërkombëtar.
“Monstra” fillimisht u rikthye në shkallën e parë në vitin 2017. Për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës u shpallën fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri, Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq, dy prej të cilëve ndodhen në arrati në Kosovë ndërsa u dënuan me burg të përjetshëm për “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënuar me 15 vjet burg për “ndihmë” ndërsa Haki Aziri me 9 vite burg, gjithashtu për “ndihmë”, kurse i akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm.
Viktimat e rastit “Monstra”, ishin katër të rinj maqedonas të moshës prej 18 deri 20 vjeç dhe një person tjetër i moshës 44-vjeçare.
Edhe rasti “Kumanova” është një proces i montuar, prandaj duhet të bëhet një revizion i ekspertizave pasi pikërisht në këtë pjesë janë bërë edhe montimet më të mëdha. Rasti “Kumanova”, ka ndodhur më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 në Kumanovë, kur një grup i armatosur, shumica shtetas të Kosovës, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ishin përballur me forcat maqedonase të sigurimit, derisa grupi ishte vendosur në këtë qytet me arsyetimin “për t’i tërhequr vëmendjen qeverisë për mosrespektimin e të drejtave të shqiptarëve”.
Gjatë dy ditë luftimesh ishin vrarë 18 persona, nga të cilët tetë policë dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur. Ndërkaq, 38 pjesëtarë të grupit ishin arrestuar – tetë prej tyre janë dënuar me burgim të përjetshëm, katër janë liruar, kurse të gjithë të tjetër janë dënuar me 746 vjet burgim.
Fatkeqësisht Maqedonia e Veriut në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, të cilin e përpilon çdo vit organizata Trasparency International renditet në vendin e 85-të, nga 180 vende sa janë në listë, një pozitë më lart në krahasim me vitin e kaluar.
Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, para Maqedonisë së Veriut është Mali i Zi dhe Kosova, përderisa me rezultate më të këqija mbeten Shqipëria dhe Serbia.
Arsyeja kryesore e këtij perceptimi është sistemi gjyqësor i cili drejtohet nga persona të afërt me partitë politike në pushtet.
Që të sigurohet përgjegjësia dhe të tregohet vullnet i vërtetë në luftën anti-korrupsion, Qeveria duhet që në mënyrë adekuate të sigurojë resurse dhe të mundësojë pavarësinë e Komisionit kundër Korrupsion dhe të institucioneve përgjegjëse për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Zgjidhja e vetme për të zhbllokuar gjyqësorin nga ndikimi i politikës do të ishte që Bashkimi Evropian, paralelisht me procesin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane, të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në bazë të resurseve të ekspertëve. Në këtë rast një prokuror ndërkombëtar do të duhej të merrte në kompetencë të vet lëndët e korrupsionit në nivel të lartë dhe krahas kësaj do të duhej të formonte dhe një trup të gjykatësve që do t’i çonte deri në fund këto lëndë. E vetmja zgjidhje pra do të ishte një prokuror ndërkombëtar, siç ishte rasti me Bullgarinë dhe Rumaninë, dhe një trup i gjykatësve që do të monitorohej nga ekspertët ndërkombëtarë.
Atëherë mund të ketë shpresë edhe për rastet e montuara politike dhe te krimit të rëndë në Maqedoninë e Veriut. Ndryshe do të shkojë edhe kjo qeveri e do të vijë edhe një qeveri tjetër, por “peshkujt e mëdhenj” të korrupsionit dhe krimit të organizuar do të mbeten të lirë, ndërsa do të kalben nëpër burgje njerëzit e pafajshëm!
