27.8 C
Skopje
E enjte, 19 Qershor, 2025

“Po na luf’tojnë ndryshe” – Ballkani në shënjestër të luf’tës hibride

Instituti për Hulumtime dhe Zhvillim në Prishtinë (PIRDEV) ka mbajtur të enjten konferencë lidhur me bashkëpunimin ndërkufitar, me temën “Modeli i ri i integrimit për Ballkanin Perëndimor”.

Në panelin e parë u diskutua për demokracinë në epokën hibride, kërcënimet hibride, integritetin e zgjedhjeve dhe ndikimet nga jashtë. Në këtë diskutim, ndër të tjera, u tha se Kosova është vendi më i cenueshëm nga lufta hibride.

Pjesë e kësaj konference ishte edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili tha se ky vend ballafaqohet me luftë hibride dhe lajme të rreme, mirëpo që në vazhdimësi po punohet për të ndërtuar mbrojtje nga kjo luftë.

Duke folur për integritetin e zgjedhjeve, ai tha se sistemi më i drejtë zgjedhor është kur mandati merret drejtpërdrejt nga qytetari dhe jo kur delegohet. Madje ai lavdëroi Kosovën, siç tha, për sistemin zgjedhor dhe listat e hapura, pasi sipas tij, në Maqedoninë e Veriut është sistemi proporcional, përmes të cilit deputetë zgjidhen më shumë ata që janë lojalë ndaj liderit politik.

“Maqedonia e Veriut ballafaqohet me lajme të rreme dhe luftë hibride, ku mundohemi të kapim hapin edhe pse jemi të kufizuar me buxhet. Mirëpo po punohet në këtë drejtim për të ndërtuar mbrojtje nga kjo luftë, e cila është aktuale dhe problem për cilëndo qeveri, e sidomos të rajonit. Në parim, mendoj se më i drejtë është kur mandati merret drejtpërdrejt nga qytetari sesa kur delegohet, por edhe ato kanë nuancat dhe modelet e veta. Por unë mendoj se model më i mirë janë listat e hapura në Kosovë, të cilat mundësojnë që deputetë të bëhen ata që janë më të votuar dhe kanë përkrahje. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut është sistemi proporcional ku kryesisht respektohet kriteri i lojalitetit ndaj liderit”, tha ai.

Kosova, sipas kryetarit të Komunës së Gjakovës, njëherësh nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, është më e cenueshmja nga lufta hibride në rajon.

Ai gjatë diskutimit tha se lufta hibride në mënyrën më të sofistikuar është përdorur që një kohë të gjatë në Kosovë. Sipas tij, qëllimi kryesor është që të krijohet hamendje te qytetarët.

Sa i përket demokracisë dhe integritetit zgjedhor, Gjini nënvizoi nevojën që në Kosovë të largohet votimi preferencial, pasi sipas tij, përfaqësimi në Kuvend nuk është kualitativ.

“Kosova është më e cenueshme se cilido prej vendeve të rajonit nga lufta hibride. Lufta hibride, në mënyrën e vet më të sofistikuar, është duke u përdorur për një kohë të gjatë. Kemi qenë cak i asaj lufte për një kohë të gjatë. Është për të sjellë situata të hutimit dhe mos me ditë se çka po dëshirojmë… Kualiteti në Parlamentin e Kosovës është gjithmonë e më i brishtë. Nuk janë gabim listat e hapura. Sistemi me lista funksionon edhe në vende të tjera dhe nuk është problematik, pasi lista e hapur mundëson që cilido kandidat që ka mbështetje më të madhe të renditet lart. Mirëpo problemi është te vota preferenciale, e cila është e kotë. Kjo ka ndodhur për shkak të frikës së disa përfaqësuesve se mund të ketë ndryshime të mëdha në listë,” theksoi Gjini.

Në anën tjetër, drejtori i Plug and Play Tech Center për Ballkanin Perëndimor, Uranik Begu, ngriti shqetësimin e tij se zhvillimi i teknologjisë do të bëhet më i sofistikuar dhe do t’u japë mundësi më shumë atyre që kanë synim destabilizimin dhe ndërhyrjen në vende të ndryshme, kryesisht përmes lajmeve të rreme.

“Ky është një fenomen dhe proces që ka me ardhë duke u përshkallëzu edhe më keq. Mundësia dhe zhvillimi i teknologjisë ka me mundësu që ata që kanë synim për destabilizim apo për të krijuar atë që quhet ‘fake neës’ apo lajme të rreme, do të kenë teknologji të sofistikuar,” shtoi ai.

Krahas kësaj, në këtë konferencë u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërkufitar dhe mikro-rajonet./KP/

Të ngjajshme

Të fundit