Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti duket se çdoherë kur e ka punën ngushtë, flet për luftëra, për ushtarë, për ndarje, për unitet, për sovranitet, për gjeopolitikë e për ndjenja kombëtare e identitare. Së fundmi, duke parë se nuk e ka Çairin e mbushur si përpara që e prsite me krahë të hapur, Ahmeti tha se po të donte do ta ndante Maqedoninë në vitin 2001, shkruan “Zhurnal.mk”.
Gjatë fjalimit në Çair, Ahmeti foli për akuzat që po sajohen, siç thotë ai, nga disa politikanë dhe politikat e tyre, se shqiptarët duan ta ndajnë Maqedoninë e Veriut. “Nëse shqiptarët do të donin ta ndanin Maqedoninë, do ta kishin bërë këtë me pesëmbëdhjetë mijë ushtarë të armatosur”, foli para masës së grumbulluar në një restorant në Çair.
Kësaj radhe nuk i shkrepi patriotizmi siç dinte të bënte herrave të kaluara.
Populli e ka kuptuar se Ahmeti duket se po përpiqet të përdorë patriotizmin si një mjet për të mbuluar humbjen e tij politike. Kjo është një strategji që shpesh e kemi ndjerë në politikë, ku liderët përpiqen të mobilizojnë ndjenjat kombëtare për të fituar mbështetje.
Nëse ai po e kthen patriotizmin në një “laraman”, mund të nënkuptojë se po e bën atë më shumë për qëllime personale ose për të mashtruar, sesa për të ndihmuar vendin. Kjo mund të çojë në polemika dhe ndasi mes elektoratit, ose humbjen totale politike.
Pyetja tjetër që shtrohet “pse për 23 vjet pushtet, nuk e beri ‘shtet unitar’ Maqedoninë, por i lejoi maqedonasit të burgosin shqiptarët e pafajshëm, siç sihte rasti ‘Monstra”, e shumë të tjera…!? “
Kanë kaluar 24 vite nga lufta e 2001 dhe deklaratat e tilla thuajse janë absurde të përmenden, kur dihet qartë se të rinjtë po kërkojnë zhvillim dhe jo fjalë boshe. Të rinjtë po kërkojnë mundësi për të funksionuar të lirë dhe jo të nënçmohen. Shqiptarët nuk po kërkojnë më lëmoshë e një vend pune, sepse e kanë parë se punësimi partiak ua ka shkatërruar të ardhmen.
Ahmeti nuk mund të flasë për patriotizëm dhe shtet ku shqiptarët i kanë të gjitha të drejtat sepse nuk arriti të përmbyllë për 23 vite Marrëveshjen e Ohrit, e lejoi që gjuha shqipe të bëhet objekt tallje nga maqedonasit, ndërsa shqiptarët të shiheshin si “mish për top”. Çdoherë kur kishin nevojë për fajtorë, shqiptrarët konsideroheshin si “goma rezervë” që ishin fajtorë për gjithçka, prandaj ua veshën shumë raste e akuza të paqena.
Ahmeti dhe partia e tij, duke luajtur me ndjenjat kombëtare e flamurin “kuq e zi”, e lejuan që ky flamur të jetë gjysmak karshi atij maqedonas, ndërsa shqiptarët të mund të flasin e shkruajnë shqip vetëm atje ku do i lejojnë maqedonasit, por jo edhe në gjithë territorin e këtij shteti.
Mëkatet janë shumë të mëdha, sa të lahen vetëm me fjalë boshe!, shkruan “Zhurnal.mk”.
Burimi: zhurnal.mk