14.8 C
Skopje
E martë, 17 Mars, 2026

Porti i Durrësit, nga e enjtja lundrime të dyfishta të trageteve

Nga dita e enjte tragetet që lidhin Portin e Durrësit me brigjet italiane dhe anasjelltas, do të nisin lundrimet dyfishe brenda ditës.

Synimi është përballimi i fluksit të pasagjerëve drejt Shqipërisë.

Autoriteti Portual Durrës, Kapiteneria e Portit, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Durrës, Dogana dhe të gjithë operatorët që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në portin më të madh në vend, janë duke operuar me kapacitet të plotë për mbarëvajtjen e fluksit të udhëtarëve në prag të festave të fundvitit.

APD në bashkëpunim me të gjitha strukturat që operojnë në port ka marrë masat për krijimin e lehtësive dhe shmangien e vonesave për çdo udhëtar që hyn apo del nëpërmjet portit të Durrësit, duke dyfishuar kapacitetet përpunuese dhe vigjilencën e shërbimeve për ta.

“20 sportele janë vënë në funksion të përpunimit në kohë rekord të pasagjerëve dhe mjeteve, ndërkohë që ka nisur dhe aplikimi i masave shtesë të shërbimeve në Terminalin e Trageteve, të fokusuara kryesisht në rritjen e parametrave të sigurisë dhe shërbimeve që ofrohen nga instancat shtetërore dhe subjektet private në sektorin e udhëtarëve”, bën të ditur Autoriteti Portual Durrës.

Si çdo Fundviti edhe në kapërcyellin e viteve 2023-2024 parashikohet një rritje e ndjeshme e numrit të udhëtarëve vendas që preferojnë të udhëtojnë me tragete drejt portit të Durrësit, për t’iu drejtuar më pas familjeve të tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Të ngjajshme

Të fundit