Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, sot pasdite do të qëndrojë për vizitë në vend, ku do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski.
Nga shërbimi për shtyp i Qeverisë bëjnë të ditur se kryeministri Mickoski do të zhvillojë një takim me Costën, pas të cilit do të mbahet një takim mes delegacionit qeveritar dhe delegacionit të udhëhequr nga presidenti i Këshillit Evropian. Më pas, Mickoski dhe Costa do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media në Qeveri.

Presidenti i Këshillit Evropian ndodhet që nga dje në një vizitë në Ballkanin Perëndimor, ku do të takohet me liderët e rajonit dhe do të bashkëkryesojë Samitin BE–Ballkani Perëndimor, që do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.
Costa do të diskutojë për mundësitë dhe sfidat që lidhen me zgjerimin e Bashkimit Evropian, integrimin gradual, bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe stabilitetin.
“Turneu im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një sinjal të qartë: angazhimi i BE-së ndaj rajonit është real, po aq real sa edhe mundësia për zgjerim. Momenti është këtu. Tani është koha për të dhënë rezultate”, deklaroi Costa para vizitës në rajon.
Në Shkup ai do të mbërrijë nga Tirana, ku do të takohet me liderët shqiptarë, ndërsa vizitën e ka nisur dje nga Sarajeva.
Nesër Costa do të udhëtojë drejt Prishtinës, ndërsa të enjten do të vizitojë Beogradin. Turneun do ta përmbyllë me një vizitë në Mal të Zi.
Më 5 qershor, Costa do të bashkëkryesojë Samitin BE–Ballkani Perëndimor, tema kryesore e të cilit është “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.