0.8 C
Skopje
E mërkurë, 11 Mars, 2026

Presidenti Pendarovski ua uroi festën e 21 dhjetorit komunitetit turk në RMV

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me rastin e 21 dhjetorit, Ditës së arsimit në gjuhën turke, ka dërguar një mesazh urimi për komunitetin turk në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton kabineti i presidentit, Pendarovski në mesazhin e tij të urimit thekson se kjo ditë lidhet me fillimet e “shtetit të lirë maqedonas” dhe me Deklaratën e ASNOM-it (Kuvendi Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Maqedonisë) për të drejtat themelore të qytetarëve, me të cilën “garantohet e drejta për jetë të lirë kombëtare për komunitetit jo shumicë”.

“Një nga frytet e para të asaj deklarate ishte mësimi i gjuhës amtare për më shumë komunitete, përfshirë edhe për gjuhën turke. Nga atëherë e deri më sot, arsimi në gjuhën turke kontribuon në ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës turke si dhe në kultivimin e bashkëjetesës në shoqërinë maqedonase multietnike, shumëgjuhëshe dhe multifetare”, tha Pendarovski në mesazhin e tij të urimit.

Më tej, ai thekson se pjesëtarët e komunitetit turk si qytetarë besnik të Maqedonisë së Veriut njëkohësisht janë urë për bashkëpunimin me Türkiye-n mike.

“Vetëm të bashkuar mund t’i tejkalojmë të gjitha sfidat me të cilat përballemi si vend dhe shoqëri. Besoj se anëtarët e komunitetit turk do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre të rëndësishëm në ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm, të drejtë dhe të begattë për të gjithë”, shprehet Pendarovski.

Komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut sot shënon Ditën e arsimit në gjuhën turke, pasi më 21 dhjetor të vitit 1944 në shkollën fillore “Tefeyyüz” në Shkup filloi mësimi në gjuhën turke. Me vendim të qeverisë së vendit, që nga viti 2007 kjo ditë është ditë jopune për komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut.

Të ngjajshme

Të fundit