Pas një procesi gjyqësor që zgjati gati 10 muaj, trupa gjykuese ka dhënë vendimin për çështjen e dhunës në familje të ndodhur në rezidencën mbretërore më 5 mars 2024. Princ Leka është dënuar me 8 muaj burg, dënim që u konvertua në 16 muaj shërbim prove, ndërsa Elia Zaharia është shpallur e pafajshme për akuzat e ngritura ndaj saj. Babai i saj, Gjergj Zaharia, u dënua me 1 vit e 40 ditë shërbim prove.

Ngjarja e dhunshme, e cila u filmua nga vetë Princ Leka, ka shkaktuar bujë të madhe. Në video shihet një punonjës i administratës së oborrit mbretëror që përpiqet të qetësojë situatën. Gjithashtu, dëgjohen akuza nga Elia Zaharia ndaj Princ Lekës për dhunë ndaj babait të saj, të cilat ky i fundit i mohon.

Pretendimet e palëve ishin kontradiktore. Princ Leka deklaroi se ishte dhunuar nga ish-vjehrri i tij, Gjergj Zaharia, i cili e kishte goditur me një statujë druri, dhe më pas nga ish-bashkëshortja. Nga ana tjetër, Elia Zaharia dhe babai i saj pretenduan se ishin ata viktimat e dhunës nga Princi.

Gjykata, pas shqyrtimit të provave dhe dëshmive, vendosi për dënimin e Princ Lekës me shërbim prove dhe për shpalljen e pafajësisë së ish-bashkëshortes së tij. Ngjarja vazhdon të jetë një temë diskutimi në opinionin publik.