27.2 C
Skopje
E hënë, 15 Qershor, 2026

Prindërit e nxënësve maqedonas kundër mësimit shqip në Çashkë!

“Të rrinë fëmijët në shtëpi? Si nuk të vjen turp ? Si nuk të vjen turp? A këtu dëshiron të hysh?”

Kështu dje në mëngjes drejtoresha e shkollës “Todor Janev” në Çashkë, Elena Nikollova, u pengua për të filluar punën. Bashkë me të edhe Besmir Xhaferi, arsimtari i vetëm shqiptar në këtë shkollë, i cili duhet t’u japë mësim shtatë nxënësve shqiptarë të cilët vijnë nga fshatërat përreth, e që në fshatërat e tyre, nuk kanë shkolla. Banorët e Çashkës dolën për të protestuar para hyrjes së shkollës, për shkak se që nga 22 nëntori, në këtë shkollë është hapur paralelja e parë në gjuhën shqipe. Prindërit e disa nxënësve maqedonas janë kundër hapjes së kësaj paralele dhe e llogaritin si veprim joligjor.

“Gjithçka që the deri tani ke gënjyer. Nuk kemi më besim tek ti. Do të përgjigjesh! Çfarë ministri bre! Do të përgjigjesh!”

Protesta u paralajmëruan edhe për sot, mirëpo për të qetësuar situatën, drejtoresha Nikollova ka vendosur që mësimi të ndërprehet e të vazhdohet nga dita e enjte.

Megjithatë kryetari i degës së BDI-së në Çashkë, Suat Shaqiri, në emisionin Pastel të TV21, tha se në gjithë këtë problematikë jo të gjithë fajin e kanë prindërit, por se ata janë të ndikuar politikisht.

Më habitë fakti që prindërit e vetmja gjë që e potencojnë është se nuk duan që fëmijët të mësojnë në gjuhën shqipe në shkollën Todor Janev. Pa asnjë arsye tjetër. I njejti fëmijë nuk u pengon se mëson në klasën e dytë, në klasën e tretë, të katërt, në gjuhën  maqedone. Nuk ekziston ajo që fëmiu të shkojë në oborrin e shkollës dhe të ndalohet nga prindër 50,60,40 vjeçar me brohoritje. Po ç’faj ka ai fëmijë?”, tha Suat Shaqiri – Ish kandidat për kryetar të Çashkës.

Këto protesta, sipas burimeve jozyrtare, nxiten nga kryetari i komunës së Çashkës, Goran Stojanovski por edhe nga deputeti nga radhët e DPMNE-së, Igor Zdravkovski. Ky i fundit madje para pak ditësh para banorëve të kësaj zone thoshte se qëllimi i shqiptarëve është të pushtojnë territore.

“Ata duan duke i shfrytëzuar fëmijët, t’i maltretojnë, t’i transportojnë çdo ditë, vetëm e vetëm të pushtojnë territor. Konsideroj se si maqedonas, kjo është e fundit që kemi lejuar dhe prej këtu nuk duhet të tërhiqemi. Keni mbështetje absolute!”, theksoi Igor Zdravkovski – Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Përndryshe paralelja e parë shqipe në shkollën fillore “Todor Janev” u hap më 22 nëntor ditën e alfabetit shqip. Ky vendim erdhi pasi ministri i arsimit Jeton Shaqiri i’a mori kompetencat kryetarit të komunës së Çashkës. Në klasë të parë mësimin filluan e shtatë nxënës, ndërsa paralele shqipe do të ketë vazhdimisht edhe vitet e tjera shkollore. Deri tani nxënësit shqiptarë në këtë shkollë detyroheshin të mësojnë maqedonisht.