Në botimin e së dielës të gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), gazetari Mihael Martens shtroi pyetjen nëse është e përshtatshme që Fondacioni Konrad Adenauer të vazhdojë të jetë partner me PPS-in, i cili në Moskë sheh një aleat
Në fillim të tekstit, Martens kujton se kancelari gjerman Fridrih Merc është shumë i qartë kur flet për presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, duke cituar deklaratën e tij nga shtatori i këtij viti se Putini është “ndoshta krimineli më i madh i luftës i kohës sonë”. Në tekst theksohet gjithashtu qëndrimi i kancelarit se Rusia nën Putinin po rrezikon paqen e përgjithshme dhe tërë Evropën. “Dhe atë që e thotë kancelari dhe kryetari i Unionit Kristian-Demokrat (CDU), Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) në fakt nuk mund ta injorojë”.
Në tekst sqarohet se KAS është formalisht i pavarur, por si çdo fondacion i afërt me ndonjë parti, megjithatë bën pjesë në atë rreth politik. Martens shpjegon se me punë disavjeçare në rajon KAS ka fituar reputacion, por se në Serbi pikërisht po e humb pjesërisht atë reputacion, sepse bashkëpunon me Partinë Përparimtare Serbe të presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili “në masë gjithnjë e më të madhe qeveris në mënyrë autokratike dhe vepron kundër BE-së”.
INDINJATA E PËRKRAHËSVE TË DEMOKRACISË
Në tekst kujtohet se SNS që nga viti 2016 është anëtar i asociuar i Partisë Popullore Evropiane (EPP), e cila bashkon partitë demokristiane dhe qytetaro-konzervatore të Bashkimit Evropian. “Nga ana tjetër, ky bashkëpunim është në kontrast gjithnjë e më të qartë me qëllimin e fondacionit për forcimin e demokracisë. Kjo shkakton indinjatë tek ata serbë për të cilët janë të rëndësishme sundimi i ligjit, ndarja e pushtetit dhe raportimi mediatik mbi bazën e fakteve – me pak fjalë, një demokraci funksionale”.
Martens thekson se, ndryshe nga ata, Vuçiqi dhe PPS përfitojnë nga bashkëpunimi me fondacionin konservator gjerman. “Ata e përdorin sistematikisht për të sugjeruar se ende vlerësohen lart në Perëndim”. Autori kujton fjalët lëvduese të Ana Brnabiqit drejtuar në vitin 2022 Fondacionit Konrad Adenauer si “një nga partnerët më të rëndësishëm të qeverisë serbe”, duke kujtuar gjithashtu se e njëjta politikane përparimtare tani i quan studentët protestues “terroristë”, ndërsa Vuçiq kundërshtarët e tij i etiketoi si “pleh”. “Qeveria, në të njëjtën kohë, me bashkëpunimin e saj me organizatat perëndimore, studentëve të rebeluar u sugjeron: nuk keni shanse, Perëndimi është në anën tonë”.
PRIORITETET REALE DHE TË RREME
Martens nuk e lë pa përmendur as takimin e majit të ish-kryeministrit dhe kryetarit aktual të partisë në pushtet, Millosh Vuçeviq, me shefin e zyrës së KAS-it në Beograd dhe raportimet që pasuan në mediat nën kontrollin e qeverisë. Në tekst citohet Vuçeviqi, i cili tha se bashkëpunimi me demokristianët gjermanë mbetet “një nga prioritetet e politikës së jashtme të SNS-it”. Pas kësaj, Martens konstaton: “Megjithatë, prioriteti real i Vuçiqit dhe i njerëzve të tij duket se prej vitesh është më tepër në Pekin dhe Moskë sesa në Berlin apo Bruksel”.
Botimi i së dielës i Frankfurter Allgemeine Zeitung i drejtoi pyetje Fondacionit Konrad Adenauer se si shpjegon faktin që kancelari Merc e quan Putinin kriminel lufte dhe kërcënimin më të madh për paqen në Evropë, ndërkohë që fondacioni i afërt me partinë e tij në Beograd kultivon afërsi me një qeveri që Putinin e sheh si aleat. Zëdhënësi u përgjigj: “Që nga tetori i vitit 2022, bashkëpunimi me Partinë Përparimtare Serbe në pushtet, si anëtare e Partisë Popullore Evropiane, është fokusuar ekskluzivisht në dialogun politik, me ç’rast artikulohen edhe qëndrime të ndryshme dhe kritike”. Megjithatë, nga ato qëndrime kritike në Beograd shihet shumë pak”.
“FONDACIONI RREZIKON TË HUMBASË BESIMIN E TË RINJVE”
Autori të njëjtën pyetje ua ka drejtuar një vargu personalitetesh publike në Serbi dhe, siç thotë, ka marrë përgjigje të shpejta në numër të madh, duke përmendur vetëm disa prej tyre, si Sonja Biserko apo Filip Ejdus. Ata e quajtën iluzion imazhin e Vuçiqit si garantues të stabilitetit që kultivojnë konservatorët evropianë, duke i bërë thirrje KAS-it të ndërpresë bashkëpunimin me përparimtarët. Martens citon gjithashtu fjalët e doktorantes Nevena Mijatoviç, pjesëmarrëse në një aktivitet bursash të KAS-it në fillim të shtatorit: “Nëse KAS dëshiron të mbetet aleat i shoqërisë civile serbe në zhvillimin e demokracisë, programet e tij arsimore duhet hapur të trajtojnë praktikat autoritare të regjimit përparimtar dhe të vlerësojnë aktet e rezistencës qytetare. Përndryshe, fondacioni rrezikon të humbasë besimin e të rinjve ose, edhe më keq, të orientojë pa dashje besnikërinë e tyre drejt një regjimi që po e shkatërron demokracinë”.
Martens, në fund të tekstit, thotë: “Duket se edhe në Partinë Popullore Evropiane situatën në Serbi, pas viteve të tëra të shmangies së qëllimshme të realitetit, tani e vlerësojnë më kritikisht sesa më parë”. Ai citon deklaratën e kryetarit të Partisë Popullore Evropiane, Manfred Weber, se EPP nuk mbyll sytë para asaj që po ndodh në Serbi. Weber premtoi se ditëve në vijim “do të nisë procedurë kundër Vuçiqit dhe anëtarësimit të partisë së tij në familjen tonë”. Autori përfundon: “Shumë qytetarë të Serbisë, për të cilët e ardhmja demokratike e vendit dhe anëtarësimi i mundshëm në BE janë të rëndësishme, shpresojnë se KAS do ta ndjekë këtë shembull dhe do ta përfundojë partneritetin me PPS”. (DW)
