16.8 C
Skopje
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Problemet me (pa)drejtësinë vazhdojnë!

Në Maqedoninë e Veriut pushteti gjyqësor dhe drejtësia kanë stagnuar së punuari dhe duket sikurse janë jashtë funksionit. E ky nuk është opinion por është fakt i bazuar në rezultatet e hulumtimeve të realizuara përgjatë po të njëjtit vit, ku besimi në gjyqësor kishte pësuar rënie drastike nga 8% që ishte në 4% shifër alarmante që si shqetësim e ngriti edhe ambasadorja amerikane. E se nuk ka drejtësi në këtë vend e dëshmojnë më së miri rastet e montuara për të cilat ekzistojnë dëshmitë por asnjëherë nuk u zbardhën. Rast i tillë është Alfa ku njëri prej të dënuarve padrejtësisht ndërroi jetë në qeli, ndërkaq të tjerët janë në pritje të zbardhjes së rastit, por shpresat e tyre janë drejt shuarjes. Pasi, Gjykata Supreme hodhi poshtë ankesën e Almir Derplaninit i dënuar në rastin “Alfa”, me këtë mbyllet mundësia për rigjykim të rastit, shkruan Zhurnal.

Rasti Alfa dëshmi e mungesës së drejtësisë –

Gjykata Supreme, konkretisht këshilli penal i kësaj gjykata në rastin “Alfa” ka vendosur që ta hedh poshtë ankesën e Almir Derplaninit i dënuar në rastin “Alfa”. Me këtë pamundësohet rigjykimi për këtë rast. E Agim Islami për të cilin shumë herë ishte premtuar drejtësi do të vazhdojë të mbetet në burg, deri në një moment të ri por që në këto rrethana është pothuajse i pamundur.

“Këshilli në seancën e mbajtur më 14 shkurt 2024 në rastin e njohur në opinion si “Alfa” hodhi poshtë ankesën si të pabazë”, thonë nga Gjykata Supreme për Alsat.

Në këshillin i cili ka hedhur poshtë ankesën e Derplaninit i dënuar me burg të përjetshëm në këtë rast, në mesin e persë gjykatësve janë edhe dy gjykatës shqiptar: Xhemali Saiti dhe Shpend Devaja. Bashkë me to këshillin e përbëjnë: Mirjana Llazarova-Trajkovska, Anita Boshkovska dhe Jelica Krstevska.

Ankesa e Derplaninit daton nga 13 janari i vitit 2023 dhe i referohej lartësisë së dënimit, përkatësisht dënimit me burg të përjetshëm. Mbrojtja në rastin “Alfa” kishte përgatitur super ekspertizë përmes të cilës ishte dëshmuar se të dënuarit në këtë rast: Agim Islami, Almir Derplanin dhe Rexhail Qerimi tashme i ndjerë nuk janë autorët e vrasjes në parkingun e Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup në vitit 2008.

Si përfundoi Rexhail Qerimi tashmë i ndjerë, i dënuar për rastin Alfa?

Rexhail Qerimi, tashmë i ndjerë, është shembulli më i qartë i asaj se në Maqedoninë e Veriut njeriu vdes jo nga uria por nga padrejtësia. Është viktimë e një rasti të montuar politik, i njohur në publik si rasti “Allfa”.

Kujtojmë se, në parkingun e Fakultetit Matematiko Natyror në Shkup, me një breshëri plumbash nga kallashnikovi, më 26 nëntor të 2008-tës, ishte vrarë polici shqiptar nga njësiti Alfa, 38 vjeçari Afrim Arifi. Por ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas me të cilët kishte qenë në patrullë, Sashe Petrovski dhe Edvard Aleksovski. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi nga fshati Opajë i Kumanovës dhe Agim Islami nga Shkupi.

Një dekadë pas vendimit gjyqësorë për ta dënuar Rexhail Qerimi dhe Agim Islamin më burg të përjetshëm, video incizimi i cili ishte prova më e fortë në akuzën e cila i ngarkohej, doli në opinion. Ndonëse Prokuroria Publike, Byroja për ekspertizë ligjore dhe Ministria e Brendshme kishin deklaruar se nuk posedojnë mundësi për zbardhjen e video incizimit, organi akuzës asnjëherë nuk u shpjegua se si Qerimi dhe Islami u identifikuan si autorë të veprës dhe u dënuan me burg të përjetshëm derisa video incizimi nuk ishte zbardhur në faza fotogrametike dhe antropologjike.

Në video incizim pa asnjë ekspertizë vërehen qartazi përmasat trupore të aktorëve që e kanë kryer veprën që janë të ndryshme nga përmasat trupore të dënuarve për kryerjen e kësaj vepre. Përderisa i dënuari i parë me burg të përjetshëm, Rexhail Qerimi, ndërroi jetë duke kërkuar drejtësi, i dënuari i dytë, Agim Islami, po vazhdon të vuajë dënimin deri sa lirinë t’ia dhurojë vdekja apo shpallja e pafajësisë së tij.

Ky është vetëm një rast, nga shumë raste të tjera që aparati shtetëror përdorë metodat e njëjta të montimit ku në çdo rast çuditërisht viktima janë shqiptarët. E kjo nuk ndodhë rastësisht, por ndodhë qëllimit si pasojë e mos faktorizimit të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut askund për sundimin e drejtësisë –

Maqedonia e Veriut është renditur në pozicionin e 67-të mes 142 shteteve në listën më të re globale sipas Indeksit për sundimin e drejtësisë së Projektit botëror për drejtësi, të publikuar sot me vlerësim prej 0,53 pikave.

Sipas kriterit kufizim i fuqisë së autoriteteve, vendi është në vendin e 97-të me vlerësim 0.47, soipas mungesës së korrupsionit në vendin e 75-të me indekst 0,45, sipas transparencës së Qeverisë në vendin e 70-të me vlerësim 0,50, ndërsa sipas të drejtave themelore në pozicionin e 56-të me vlerësim 0,60. Kur bëhet fjalë për kriterin rend dhe siguri, Maqedonia e Veriut është në pozicionin e 43-të, sipas drejtësisë me vlerësim 0,80, sipas zbatimit të rregullativave në pozicionin e 94-të me 0,46, sipas drejtësisë civile në vendin e 75-të me indeks 0,52 dhe sipas drejtësisë penale në pozicionin e 72-të me 0,44 pika.

Pasiguri e madhe, besimi i ulët në gjyqësi, institucionet e papërgjegjshme që nuk janë fare në shërbim të qytetarëve, mungesa e meritokacisë, papunësia, zhvillimi i dobët ekonomik, krizë gjithandej, këto janë shkaqet kryesore që të rinjtë dëshpërohen deri në palcë dhe vendosin që këtë dëshpërim ta ngushëllojnë me largim nga vendi. Sepse, në të kundërtën nuk kanë fuqi t’ia dalin dot me këtë sistem të vjetruar që nuk prodhon perspektivë dhe kushte normale për jetesë. /Zhurnal.mk

Të ngjajshme

Të fundit