FC Shkupi, një nga klubet më të njohura të futbollit në Maqedoninë e Veriut, po përballet me një periudhë të vështirë, shkruan POPULLI.mk
Kriza brenda klubit dhe mosmarrëveshjet e kryesisë me Federatën ka bërë që klubi çairas të ndodhet në një situatë delikate, duke e vështirësuar ruajtjen e pozitës si një ndër klubet më prestigjioze në vend. Kjo situatë ka nxitur shqetësime te tifozët besnikë të Çairit, ‘SHVERCERAT’ të cilët shpresojnë për një zgjidhje që do ta rikthente shkëlqimin e dikurshëm të ekipit.
Sipas disa informacioneve të cilat kanë arritur te POPULLI.mk, familja Batatina nga Kosova ka shfaqur interesim për blerjen e klubit. Kjo familje, e njohur për investimet e saj në futbollin kosovar, duket se ka filluar bisedimet paraprake për një marrëveshje të mundshme me drejtuesit e FC Shkupit. Nëse ky transaksion realizohet, Batatina mund të sjellë përvojën dhe kapitalin e nevojshëm për të transformuar klubin e Çairit dhe për t’i dhënë atij një drejtim të ri.
Pyetja që lind tani është: A mundet familja Batatina të rikthejë krenarinë FC Shkupit? Gjithçka mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në vazhdim, a do të ketë një marrëveshje mes Presidentit aktual të FC Shkupit, Olgun Aydin dhe familjes Batatina. Shpresa është që një udhëheqje e re, e mbështetur nga një vizion i qartë dhe burime të qëndrueshme, do ta rikthejë FC Shkupin në majat e futbollit vendor dhe rajonal, duke forcuar krenarinë e komunitetit të Çairit dhe më gjerë. / © POPULLI.mk