9.8 C
Skopje
E hënë, 26 Janar, 2026

Protesta e opozitës në Shqipëri kaloi mes tensionesh e përplasjesh mes protestuesve dhe policëve

11 policë të lënduar, 18 persona të arrestuar dhe 2 të tjerë në kërkim. Ky është epilogu i protestës së mbrëmshme në Tiranë të organizuar nga Partia Demokratike që eskaloi në përplasje mes policë dhe protestuesve dhe gjuajte molotov e fishekzjarrë në drejtim të kryeministrisë.

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se shqiptarët mbrëmë dëshmuan se ata po luftojnë për ndërgjegjen e vet, për dinjitetin njerëzor, për interesin kombëtar dhe për të drejtat e çdo shqiptari.

“Qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe gjithë Shqipëria u përballën me guxim të jashtëzakonshëm më shumë se tre orë me fallangat e krimit dhe narkoregjimit të Edi Ramës. Nderim i madh për gjithë ata qytetarë që nga mbarë Shqipëria, protestuan në mënyrë të vendosur kundër rilindjes kalbësire, kundër organizatës kriminale të Edi Ramës. Protesta e qytetarëve dje, e cila u zhvillua në të katër anët e vendit, ka lidhje vetëm me Ramën. Dje regjimi u trondit nga themelet, dhe qytetarët triumfuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës”, tha Sali Berisha, Kryetar i Partisë Demokratike.

Kryeministri shqiptar Edi Rama përmes një postimi në rrjetin social X ka thënë se PD-ja është e vetmja parti në Europë që ka në programin e aktivitetit të saj ushtrimin e dhunës dhe shkatërrimin e pronës.

“Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon. Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!”, u shpreh Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Në protestën e mbrëmshme, PD-ja kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një ekzekutivi teknik, si dhe organizimin e zgjedhjeve të lira pas pretendimeve për manipulim të votave në zgjedhjet parlamentare të 11 majit./Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit