19.8 C
Skopje
E diel, 8 Shtator, 2024

Pse Brukseli hodhi benzinë, në vend ta shuajë konfliktin Kosovë-Serbi?

NGA PROF. DR. ENVER BYTYÇI

Bashkimi Evropian njoftoi sot vendimin e tij për të lejuar serbët e Kosovës që ata të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen me pasaportë të lëshuar nga strukturat paralele të Serbisë në Kosovë. Në pamje të parë ky vendim duket të jetë normal. Unë p.sh që kam shtetësi të Shqipërisë dhe atë të Kosovës mund të udhëtoj me secilën prej këtyre dokumenteve në zonën Shengen. Askush nuk ka të drejtë të më ndalojë mua të zgjedh nëse p.sh në Francë udhëtoj me pasaportën shqiptare e në Gjermani me atë kosovare!

Por, qeveria e Kosovës ka reaguar madje pa takt diplomatik kundër këtij vendimi, me të cilin qytetarët e Kosovës lejohen të lëvizin në Evropë si me pasaporta të Kosovës, ashtu dhe me ato të Serbisë. Parimisht është i pakuptimtë ky reagim i qeverisë së Kosovës. Por praktikisht është i drejtë. Le të shpjegohemi:

1. Kosova është një shtet i ri, ende jo anëtare e Kombeve të Bashkuara. Madje iu privua e drejta të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës edhe pse Asambleja Parlamentare e këtij këshilli e miratoi kërkesën e saj me shumicë dërmuese të votave. Për të realizuar integrimin e shtetit të Kosovës në këto organizata Bashkimi Evropian i detyroi Kosovën dhe Serbinë ta pranojnë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksit të Ohrit të shkurt-marsit 2023. Por kjo marrëveshje është kundërshtuar zyrtarisht nga ana e Beogradit. Që do të thotë se presidenti i Serbisë nuk dëshiron normalizimin e marrëdhënieve të vendit të tij me Kosovën. Në këto kushte vendimi i Brukselit për të pranuar lëvizjen e lirë të serbëve të Kosovës ne Shengen me pasaporta serbe shihet dhe është në fakt një inkurajim zyrtar për mos pranimin e marrëveshjes në fjalë nga ana e Beogradit. Diferenca lexohet natyrshëm si mospërputhje midis këtij vendimi dhe deklaratave të liderëve evropiane, të cilët bëjnë thirrje për zbatimin e asaj marrëveshjeje.

2. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj kanë arritur një shkallë të lartë të integrimit të serbëve të Kosovës në rendin kushtetues dhe ligjor të këtij vendi, sidomos pas ngjarjeve të 24 shtatorit 2023 me kryerjen e aktit terrorist serb në Banjskë. Serbët, sidomos në veri të vendit, filluan të zëvendësojnë pasaportat dhe dokumentet e tjera të shtetit serb, targat e makinave dhe gjithçka tjetër me pasaportat, targat dhe dokumentet kosovare.

Në këto kushte vendimi i sotëm i BE-së e ve në vështirësi e madje inkurajon mosintegrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e shtetit më të ri në Evropë. Kësisoj vendimi në fjalë i vjen në ndihmë mos ose dezintegrimit. Kjo shkon në kundërshtim me parimin themelor të vetë BE-së. Ndërkohë vështirëson edhe realizimin dhe forcimin e shtetësisë së Kosovës. Thellon konfliktin dhe rrezikun për destabilizim në rajon. Vetë Brukseli ka ndërmjetësuar para gati dhjetë vitesh nënshkrimin e marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë për përdorimin e dokumenteve të shtetit të Kosovës nga ana e serbëve që jetojnë në këtë vend. Por me vendimin e sotëm është po ashtu vetë Brukseli që revokoi ato marrëveshje të ndërmjetësuara.

3. Vendimi i sotëm i BE-së shihet si shpërblim për Aleksandër Vuçiq në këmbim të marrëveshjes së nënshkruar të premten e kaluar midis Serbisë dhe BE-së për shfrytëzimin e minierave të litiumit në perëndim të territorit serb. Ndërkohë shton skepticizmin e palës së Kosovës. Rrit shkallën e mosbesimit se BE është e angazhuar seriozisht për mbrojtjen e territorit të Kosovës. Në kohën kur zhvillohen bisedime midis palëve, Bashkimi Europian me këtë vendim merr anën e njërës palë, asaj të Serbisë. Kjo do të thotë se pala e Kosovës gjendet e do të gjendet nën presion shtesë. Rritja e shkallës së mosbesimit në proces bisedimesh e dëmton rëndë dialogun në çdo rast e jo më në rastin e bisedimeve Kosovë-Serbi.

4. Në këto kushte Kosova ka të drejtë të frikësohet edhe më shumë nga kërkesa për formimin e Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Vendimi i kësaj të hëne thjesht përforcon përceptimin se asosacioni është jo vetëm një hile serbe, por edhe një hile europiane. Dhe sa më shumë shtohen këto dyshime, aq më e vështirë ose e pamundur bëhet krijimi i asosacionit serb në Kosovë.

5. Dhe së fundmi, vendimi i Brukselit e arriti që ditën e parë një pjesë të qëllimit të vet, po të kemi parasysh reagimin e Vlora Çitakut nga kampi i opozitës ndaj këtij vendimi. Ajo e quajti këtë vendim si “shpartallim” të qeverisë Kurti. Dhe nuk dha asnjë shenjë mërzitjeje se me këtë vendim dëmtohet Kosova. Deklaratë më antikombëtare nuk kam dëgjuar ndonjëherë. Ishte sikur ta kishte shkruar zëdhënësi i presidentit të Serbisë! As Lirim Mehmetaj nuk guxoi ta thoshte këtë që deklaroi Vlora Çitaku! Nejse, le të shpresojmë se kjo pjesë e dëmit do të tejkalohet shpejt!

Të ngjajshme

Të fundit