A janë zgjedhjet zgjidhje në Republikën e Maqedonisë së Veriut, apo thjesht një arratisje nga realiteti politik? Kjo pyetje po rikthehet fuqishëm në skenë, në një kohë kur Qeveria aktuale gëzon një shumicë të qëndrueshme parlamentare, e përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM.
Shkruan Elon Latifi
Në kushte normale politike, një shumicë e tillë do të duhej të garantonte stabilitet institucional dhe fokus në reforma. Megjithatë, presioni për zgjedhje të parakohshme po vjen nga opozita shqiptare, konkretisht nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, të cilët duket se nuk po pajtohen me realitetin e ri politik, atë të të qenit jashtë pushtetit.
Rezultatet e zgjedhjeve lokale e kanë riformatuar qartë hartën politike në kampin shqiptar. VLEN doli fituese me gjithsej 10 komuna, duke u konfirmuar si forca kryesore politike shqiptare në nivel lokal. BDI u tkurr në vetëm 4 komuna, kryesisht rurale, ndërsa ASH e Taravarit, nën ombrellën e AKI-së, arriti të marrë vetëm 2 komuna, Gostivarin dhe Vrapçishtin. Këto shifra flasin vetë dhe shpjegojnë pse BDI dhe Taravari po kërkojnë zgjedhje të parakohshme; jo nga pozita e forcës, por nga frika e marginalizimit afatgjatë. Për VLEN-in, zgjedhjet nuk përbëjnë problem, sepse trendi politik është në rritje, sidomos në zona kyçe si Gostivari dhe Vrapçishti, ku edhe pse nuk u fituan komunat, u shënua rritje e ndjeshme e votës.
Megjithatë, dilema kryesore mbetet se a do të ishin zgjedhjet parlamentare një zgjidhje reale për vendin, kur Qeveria ka shumicë funksionale dhe opozita po shfaq nervozizëm politik? Zgjedhjet nuk janë mjet për të qetësuar frustrimin e opozitës, por instrument demokratik kur ka krizë legjitimiteti. Në këtë rast, kriza duket më shumë psikologjike dhe strategjike për BDI-në dhe Taravarin, sesa institucionale. Nga ana tjetër, edhe VLEN përballet me sfida të brendshme, sidomos me faktin se ende nuk ka përmbyllur procesin e zgjedhjes së liderit, gjë që në një garë parlamentare do të kërkonte qartësi dhe unitet maksimal.
Në këtë ekuacion mbetet e paqartë edhe pozicionimi i Ziadin Selës. Pas një debakli të thellë në zgjedhjet lokale, ku mbeti pa asnjë komunë, pyetja është se cilit tabor do t’i bashkohet, VLEN-it apo bllokut AKI (BDI–Taravari)? Realiteti politik tregon se Selës i ka mbetur pak hapësirë manovrimi dhe çdo zgjedhje e gabuar mund ta përjashtojë përfundimisht nga skena relevante politike. Në fund, zgjedhjet nuk janë qëllim në vetvete. Ato janë mjet. Dhe sot, pyetja nuk është “a duam zgjedhje?”, por “a kemi arsye reale për to?”.
