Shtatëmbëdhjetë komuna nuk kanë aplikuar fare për projekte infrastrukturore komunale, për të cilat Qeveria ndan mjete nga kredia hungareze. Në këtë grup përfshihen: Saraji, Qendra, Çairi, Shuto Orizari, Likova, Probishtipi, Valandova, Rosomani, Bogovina, Vrapçishti, Mavrovë-Rostusha, Tearca, Dibra, Struga, Manastiri, Krusheva dhe Dollneni.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, tha se 36 komuna kanë aplikuar me projekte në vlerë maksimale të mjeteve financiare që u takojnë sipas formulës për kokë banori, ndërsa 27 komuna kanë ende mundësi të aplikojnë me projekte të tjera deri në shumën maksimale të parashikuar.
Qeveria u bën sërish apel të gjitha vetëqeverisjeve lokale që të shfrytëzojnë mundësinë dhe të respektojnë afatin ligjor për aplikim deri më 30 prill.