Kush qëndron në qeveri dhe kush do të ikë bashkë me Taravarin, do të mësohet gjatë kësaj jave.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se qëllimi deri në zgjedhjet lokale duhet të jetë më i qartë, shkruan Alsat.
“Këtë javë do të ketë shumë gjëra më të qarta. Por një gjë është e sigurt, se kur kanë mbetur edhe më pak se pesë muaj nga fillimi i fushatës për zgjedhjet lokale definohen dy blloqe, blloku i të kaluarës, i krimit korrupsionit dhe turpit. Ai është njëri, të cilit për fat të keq ju bashkua Arben Taravari. Dhe tjetri është i qytetarëve të ndershëm, blloku i Maqedonisë që dëshiron të shohë një vend të pasur dhe të suksesshëm ku nuk do të ketë të preferuar, nuk do të luhet futboll në kabinetet e qeverisë. Pres të takohem me personat në VLEN dhe të bisedojmë për të ardhmen qeverisë dhe të koalicionit me një program të qartë deri në zgjedhjet lokale”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
VLEN pret që trendi i braktisjes së Taravarit nga mbështetësit e partisë së tij, të vazhdojë.
“Të gjitha këto zhvillime në ASH-në e Taravarit janë shenjë se vendosmëria e strukturave dhe gatishmëria është më e madhe që të mos përfundojnë në krahët e Ali Ahmetit, sesa kalkulimet e Taravarit. Sipas informacioneve tona, kjo do të vazhdojë, revolta te mbështetësit dhe simpatizantët është e madhe. Ta presion ditët e ardhshme por besoj se ky trend do të vazhdojë”, theksoi Orhan Murtezani, VLEN,
Ky qëndrim vjen një ditë pasi deputeti Salim Sulejmani paralajmëroi dorëheqje nga pozitat në ASH dhe nga posti i deputetit. Mbështetësit e Taravarit në rrjetet sociale thonë se Sulejmani nuk ka dhënë dorëheqje për parime, por jozyrtarisht pretendojnë se i është premtuar pozita e ambasadorit në ambasadën e re që do të hapet në Arabinë Saudite.
Një ditë më parë u prononcua edhe zv.kryeministri Arben Fetai. Ai siguroi anëtarësinë se rruga e ASH-së nuk kalon ka Ahmeti. Qëndrimi i Fetait gjithsesi është i paqartë, nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e ASH-së krah Taravarit, pjesë e VLEN ose pjesë e ndonjë Aleance të tretë eventuale. Ai sot shkurt tha se nuk ka asgjë më shumë për të shtuar në këtë moment.
Dy ditë më parë, Taravarin e braktisi edhe ish ministri i Administratës Azir Aliu i cili konfirmoi se mbetet krah VLEN.
Në kohën e largimeve, funksionarët që mbështesin Taravarin një nga një japin dorëheqje nga pozitat e tyre. Sot dorëheqjet i kanë deponuar zv.ministri i Bujqësisë Flakron Bexheti dhe zv.ministrja e Mbrojtjes Elfete Ismaili.