20.8 C
Skopje
E martë, 18 Gusht, 2026

QMK: Pothuajse i gjithë vendi në rrezik të lartë nga zjarret, apelohet për kujdes maksimal

Sipas indeksit meteorologjik të zjarreve, pothuajse i gjithë territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut ndodhet në zonën me rrezik të lartë nga zjarret (ngjyra portokalli). Përjashtim bëjnë Mali Sharr dhe rrethina e Ohrit dhe Resnjës, ku është regjistruar indeks meteorologjik mesatar i rrezikut nga zjarret (ngjyra e verdhë), kumtoi Qendra për menaxhim me kriza.

Për shkak të kushteve të tilla atmosferike, ekziston rrezik i lartë për shfaqjen dhe përhapjen e zjarreve në hapësira të hapura dhe të zjarreve pyjore me intensitet të lartë në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Qendra për Menaxhim me Kriza u bën apel qytetarëve për kujdes maksimal dhe sjellje të përgjegjshme, veçanërisht gjatë qëndrimit dhe lëvizjes në natyrë, si dhe të mos përdorin zjarr në hapësira të hapura.

Nëse vëreni zjarr, menjëherë telefononi në numrin 112.