0.8 C
Skopje
E shtunë, 14 Mars, 2026

Rama: Diskursi publik në Britani është zhytur në errësirë pas Brexit-it

Një plan i Britanisë së Madhe për të dërguar emigrantë që u është refuzuar kërkesa për azil në “qendra të kthimit” në shtete të treta tregon se Britania pas Brexit-it është “në një vend shumë të errët”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në intervistën e tij të parë me media ndërkombëtare që nga fitimi i mandatit të katërt historik në krye të Shqipërisë, Edi Rama tha se ideja se Britania dëshiron të “kërkojë vende për t’i hedhur emigrantët” do të kishte qenë e paimagjinueshme para një dekade, shkruan gazeta “The Guardian”.

Por kjo është në vijë me ndryshimin e diskursit publik në Britani që nga Brexit-i, në të cilin “totalisht e papranueshmja, totalisht qesharakja, totalisht e turpshmja” është normalizuar, shtoi ai.

Të njoftuara muajin e kaluar nga kryeministri britanik, Keir Starmer, gjatë një vizite në shtetin ballkanik, skema me “qendrat e kthimit” do të përfshinin qendra në shtete të treta ku do të shqyrtoheshin pretendimet e personave që u është refuzuar azili dhe që i kanë shteruar rrugët ligjore në Mbretërinë e Bashkuar.

“Është njëra nga ato gjëra që para dhjetë vjetëve thjesht nuk do të ishte e imagjinueshme… se Britania do të kërkonte vende për t’i hedhur emigrantët” – tha Rama nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana.

“Fakti se sot kjo nuk është vetëm e imagjinueshme, është duke ndodhur, nuk është për shkak se Keir Stamer ose (Rishi) Sunaku kanë bërë diçka të turpshme; është për shkak se vendi është në një vend shumë të errët” – tha më tej Rama.

“80 për qind e gjërave që thuhen, ose që shkruhen, ose që pranohen si pjesë normale e diskursit në Britaninë e sotme janë gjëra që (para Brexit-it) do të kishin qenë totalisht ët papranueshme, totalisht qesharake, totalisht të turpshme” – shtoi kryeministri shqiptar.

Nën qeveritë e kaluara konservatore britanike, marrëdhëniet mes Britanisë dhe Shqipërisë ishin bërë gjithnjë më të tensionuara, nën hijen e kalimeve me barka dhe akuzave se emigrantët e paligjshëm shqiptarë po e “pushtonin” bregdetin britanik.

Qëllimi i vizitës së Starmerit në maj – e para ndonjëherë nga një kryeministër britanik – ishte që marrëdhëniet dypalëshe të viheshin në një rrugë të re. Gjatë qëndrimit në Tiranë, politikani laburist tha se ishin duke u zhvilluar bisedime “me një numër shtetesh” për ndërtimin e qendrave të pranimit. Megjithatë, në një lëvizje që u pa si qortim i butë ndaj mysafirit të tij, Rama tha në një konferencë të përbashkët për gazetarë se Shqipëria nuk do të merrte pjesë në këtë skemë.

 

 

Burimi/Nacionale

Të ngjajshme

Të fundit