4.8 C
Skopje
E hënë, 22 Dhjetor, 2025

Rama: “Euro Agro Albania”, instrument për fermerët në rrugën drejt BE-së

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se platforma kombëtare Euro Agro Albania, e prezantuar në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, është një instrument praktik pune për fermerët dhe sipërmarrësit e sektorit bujqësor në procesin e përgatitjes drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gjatë prezantimit të mekanizmave praktikë për përgatitjen hap pas hapi drejt BE-së, Rama theksoi se platforma nuk është thjesht një faqe e re interneti, por një mjet funksional që synon të shërbejë drejtpërdrejt për zhvillimin e sektorit.

“Platforma kombëtare që prezantohet sot, Euro Agro Albania, nuk është një faqe e re interneti, nuk është një website më shumë në morinë e website-ve, por është një instrument që të gjithë ju, ata që janë në fermë, që investojnë, prodhojnë, duan të rrisin eksportet, prodhimin, cilësinë, kapacitetet dhe fondet në dispozicion të projekteve të tyre, duhet ta marrin, ta përdorin, ta pasurojnë dhe ta kthejnë në një nga instrumentet e punës së tyre të përditshme”, iu drejtua Kryeministri, fermerëve.

Sipas kreut të qeverisë, Euro Agro Albania do të shërbejë si udhërrëfyes për fermerët dhe operatorët e sektorit në çdo hap të procesit të negociatave dhe të rrugës drejt anëtarësimit në BE.

“Është një udhërrëfyes për të gjithë ju, në çdo hap të procesit të negociatave dhe të rrugës drejt anëtarësimit. Është një burim informacioni për standardet, afatet dhe detyrimet konkrete që burojnë nga ky proces”, tha ai.

Kryeministri nënvizoi se platforma do të funksionojë edhe si kanal dialogu dhe koordinimi mes fermerëve dhe institucioneve shtetërore.

“Është një kanal dialogu ku secili mund të hyjë, të komunikojë, të pyesë dhe të marrë përgjigje për problematikat me të cilat përballet. Është gjithashtu një mjet koordinimi që garanton ndërveprim të vazhdueshëm mes jush dhe nesh, përmes Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR-së”, theksoi Rama.

Ai shprehu gjithashtu dëshirën që në këtë platformë të përfshihet edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës, duke e cilësuar si një “derë të re të hapur” për fermerët.

“Do të doja që në këtë platformë të futet edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës, sepse është një tjetër derë e re e hapur për të gjithë ju, me një frymë të re, një qasje të re dhe një fuqi të re në dispozicionin tuaj”, u shpreh Kryeministri.

Deklaratat e Ramës vijnë pas çeljes së Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, çka shënon hapjen e një faze të re për bujqësinë shqiptare.

Në qendër të kësaj faze janë kapitujt 11 (Bujqësia dhe Zhvillimi Rural), 12 (Siguria Ushqimore, Politika Veterinare dhe Fitosanitare) dhe 13 (Peshkimi), të cilët përbëjnë boshtin e reformave për përafrimin e sektorit bujqësor shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.

Të ngjajshme

Të fundit