Kryeministri Edi Rama ka reaguar për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga SPAK.
Shefi qeverisë u shpreh se ky rast e ka bërë të ndryshojë mendje për strategjinë e tij për të heshtur përballë vendimeve të drejtësisë, të cilën e ka ndjekur për 5 vite me radhë.
Rama u kujdes të mos përdorte termin arrestim, por tha se Veliaj është marrë pa gjyq nga zyra dhe drejtësia ka lënë një kryeqytet të tërë pa kokën drejtuese.
“U ekzaltuan nga arrestimi i Erionit dhe u turrën për të kërkuar dorëheqjen time. Madje jo vetëm oxhaku i vjetër e blozë i partisë së bufit të kënetës, por edhe mangallët e partiçkave, u përdezën nga era e mishit me gjak që të vijnë këtu të kërkojnë dorëheqjen time se u bë deti kos tani. Këtu janë punët e tyre dhe s’kanë lidhje me punën time.
Marrja e kryetarit të bashkisë së Tiranës nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një qytet të tërë pa kokën që e kanë vënë, është një ngjarje e madhe. Lajmi që kam për ju sot është se nuk do ti mbaj më për vete opinionet e mia kur ta shoh të arsyeshme për ti ndarë me publikun.
Drejtësia e re ka hyrë tani në një fazë që ka fituar të gjithë vetëbesimin e nevojshëm. Mbështetja jonë do të vazhdojë njësoj. Por nuk ka pse të mos i shpresim dhe opionionet kritike që janë të domosdoshme”, tha Rama.
Kryeministri pati një koment edhe për protestat e thirrura nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet” e Nisma Thurje ditën e sotme dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit ditën e nesërme, ku do të kërkohet dorëheqja e tij.
“U përndezën nga era e mishit me gjak dhe kanë vënë shishet këtu poshtë dhe do vijnë të kërkojnë dorëheqjen time se u bë deti kos këtu”, tha kryeministri.
Burimi / Pamfleti.net