Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot shembujt frymëzues që përcjellin për gjithë shoqërinë nxënësitë ekselentë.
Gjatë ceremonisë së dhënies së “Medaljes së Artë” për nxënësit që kanë përfunduar gjimnazin me 10 absolute, Kryeministri u shpreh se kjo ceremoni tradicionale është momenti më i bukur i fundvitit në këtë zyrë.
“Ky është momenti kur kjo sallë ka brenda më shumë tru se sa asnjëherë tjetër”. Sepse besoj se nuk ka privilegj më të madh se sa të kesh detyrën të vlerësosh mundin, përpjekjet dhe rezultatet e njerëzve si ju”, u shpreh Rama.
Duke iu drejtuar nxënësve ekselentë, Rama u shpreh se rezultatet e tyre janë suksesi i gjithë shoqërisë.
“Ju ende nuk e keni të qartë atë që ky rezultat dhe sukses do të thotë për shoqërinë tonë, gjithë brezin tuaj. Ju as nuk e mendoni se çfarë do të thotë për mua personalisht kjo”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, pavarësisht statusit apo vendndodhjes shembujt frymëzues janë shumë të rëndësishëm për të nxitur këdo që të ecë përpara.
“Ndiej kënaqësi shumë të madhe kur firmos gjithë ato certifikata që shoqërojnë Medaljen e Artë, pasi mundohem të marr me mend jetën tuaj, familjet. Mendoj se sa shumë prej jush jetoni në familje krejt të zakonshme. Disa prej jush jetojnë në familje që kanë vështirësi reale për të arritur fundin e muajit dhe i keni të gjitha justifikimet për të mos dalë me Medalje Ari. I keni të gjitha justifikimet po t’i kërkoni për të mos dalë me rezultate të mira, madje edhe për të mos shkuar në shkollë fare”, tha Rama, duke iu drejtuar nxënësve ekselentë.
Por, sipas tij, dallimi i madh që bëjnë ata është pikërisht ky, nuk shkojnë në kërkim të justifikimeve por të suksesit.
“Ndaj ju jeni shembuj frymëzues edhe për mua personalisht dhe unë ju falënderoj me mirënjohje për këtë”, tha Rama.
