7.8 C
Skopje
E premte, 19 Dhjetor, 2025

Rama për “Politico”: Nuk do ta zgjasim ndalimin e TikTok-ut, të kënaqur me rezultatin

Shqipëria nuk do ta zgjasë ndalimin 1-vjeçar të TikTok-ut, tha kryeministri Edi Rama për “Politico”, ndërsa vlerësoi platformën për bashkëpunimin e saj.

“Pas takimeve konstruktive me platformën e mediave sociale, jemi të kënaqur me rezultatin”, tha Rama.

“Ne kemi krijuar partneritetin dhe shpresoj që në javët ose muajt e ardhshëm do të njoftojmë popullin shqiptar rreth planit, siç e premtuam”, tha ai.

Rama tha se ishte “shumë i befasuar” nga reagimi i TikTok-ut, pas vendimit fillestar të Shqipërisë për të ndaluar platformën.

“Sepse në fillim, për shkak se ishte normale të mendonim se ata do të na luftonin, ata do të hakmerreshin ndaj nesh, ata do të na intimidonin. I takova vetë dhe mbeta shumë i impresionuar nga qëndrimi i tyre”, theksoi kryeministri Rama.

“Ata i dëgjuan me shumë kujdes pikat tona”, tha Rama në samitin BE-Ballkani Perëndimor.

TikTok nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së “Politico” për koment.

Vendi kandidat për në BE vendosi ndalimin në mars të vitit 2025 pas rreth një viti bisedimesh me TikTok-un mbi abuzimin online, përfshirë dy vetëvrasje që besohet se lidhen me bulizmin në platformë.

Goditja fatale me thikë e një djali 14-vjeçar jashtë një shkolle, pas një mosmarrëveshjeje online, ishte pika e fundit – pas së cilës qeveria urdhëroi ofruesit e shërbimeve të internetit të bllokonin aksesin në versionet e desktop-it dhe aplikacioneve.

Megjithatë, ky veprim shkaktoi reagime të ashpra nga partitë opozitare dhe OJQ-të, të cilat akuzuan qeverinë për censurë dhe për kufizim të shprehjes politike në internet.

“Ka qenë efektiv në ndërtimin e kësaj marrëdhënieje me TikTok-un dhe në sjelljen e disa masave mbrojtëse që nuk ekzistonin”, tha Rama kur u pyet nëse ndalimi ishte efektiv në frenimin e dhunës në shkolla.

Megjithatë, raportet e mediave lokale zbulojnë se ndalimi i TikTok-ut pati efekt të vogël në zgjidhjen e çështjes së dhunës në shkolla ose rritjes së dhunës digjitale.

Por, Shqipëria nuk ka gjasa të mbështesë kufizimet – në përdorimin e mediave sociale nga të miturit – një temë që aktualisht është në diskutim – në kryeqytete të ndryshme të BE-së dhe në Bruksel.

Rama e ka vendosur vitin 2030 si një objektiv për pranimin në BE.

“Këto janë budallallëqe. Kjo është diçka që Shqipëria nuk do ta marrë në konsideratë. Nuk funksionon”, tha ai, duke pranuar se qeveria e tij e ka shqyrtuar si çështje.

“Por, nëse nuk keni një informacion të plotë se kush qëndron pas kësaj, gjithmonë do të jeni viktimë e sulmeve nga trollët dhe robotët”, tha kryeministri Rama.

Të ngjajshme

Të fundit