8.8 C
Skopje
E premte, 13 Mars, 2026

Rama “shkund” Vlorën, drejtorët dorëhiqen pas vizitës së tij!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama trazoi ujërat me vizitën e tij një ditë më parë në bashkinë e Vlorës, ku kërkoi dorëheqjen dhe shkarkimet e drejtorëve të institucionit.

Sipas informacioneve, të gjithë drejtuesit kanë paraqitur dorëheqjen pranë kryetarit të bashkisë, Ermal Dredhës, transmeton OraNews.

Bëhet me dije se me qëllim realizimin e procesit të reformimit dhe analizës së thelluar të nivelit vendor, Rama ka ngritur dy grupe pune ku njëri prej tyre i përbërë nga Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe Pirro Vengu, do të ketë në fokus analizimin dhe vlerësimin e performancës së drejtuesve rajonalë.

Sipas kreut të qeverisë, drejtuesit që nuk kanë kryer detyrën ashtu siç duhet, duhet të dorëhiqen, ndërsa zëvendësuesit e tyre do të kalojnë në një periudhë prove tre-mujore për të vërtetuar aftësitë e tyre.

Ndërkohë grupi tjetër, i përbërë nga Brisilda Çakerri, Zamira Sinaj dhe Evis Alushi, do të analizojë emrat e mundshëm për drejtuesit e rinj të Bashkisë së Vlorës.

Rama ka kërkuar që deri më 15 korrik të ketë përfunduar analiza për të gjithë drejtuesit. Gjithashtu ka kërkuar emrat konkretë për zëvendësimet, duke u bazuar edhe në propozimet që do të vijnë nga strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë.

Një vizitë si kjo në bashkinë e Vlorës, Rama e ka zhvilluar edhe ditën e djeshme në bashkinë e Tiranës, me të gjithë drejtorët e institucionit dhe deputetët e zgjedhur socialist për kryeqyteti.

Mësohet se Rama u ka thënë drejtorëve të bashkisë së kryeqytetit dhe ligjvënësve të rinj se nuk ka ankesa për ta.

Të ngjajshme

Të fundit