-0.2 C
Skopje
E enjte, 15 Janar, 2026

Rama: Transferimi i legjislacionit të BE-së në korpusin ligjor shqiptar, me AI

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Shqipëria po përdor inteligjencën artificiale në procesin e transferimit të legjislacionit të Bashkimit Europian në korpusin e vet ligjor.

I ftuar në panelin e samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm që u zhvillua në Abu Dhabi, kryeministri Rama foli po ashtu për përgatitjet që po bën vendi për përdorimin e inteligjencës artificiale në shkallë të gjerë.

“E kemi nisur në fakt nga ana e kundërt në përpjekje për të nxjerrë më të mirën nga teknologjia digjitale sepse për shkak të shumë problemeve që i trashëguam për sa i takon ofrimit të shërbimeve më të mira të administratës, teknologjia digjitale na lejoi të ndryshonim tërësisht mënyrën se si funksionon administrata kundrejt qytetarëve”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se prej vitesh tashmë 95% e shërbimeve publike ofrohen elektronikisht.

“I kemi mbyllur të gjitha zyrat e kontaktit të shërbimeve në vend, nuk ka radhë, nuk ka kohë të humbur, por njerëzit marrin shërbimin online si në Shqipëri edhe jashtë vendit”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri theksoi se po përdoret inteligjenca artificiale për të gjithë procesin e transferimit të legjislacionit të BE-së në korpusin tonë ligjor.

“Për të hyrë në BE duhet të miratosh çdo ligj dhe rregullore në të njëjtën mënyrë për të gjitha vendet. Ky ka qenë një vëllim i jashtëzakonshëm pune me përkthyes, juristë, hartues e korrektorë. Ndërkohë që me Inteligjencën Artificiale po e bëjmë këtë gjë shumë shpejtë dhe në mënyrë shumë të saktë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi po ashtu se me ministren e Inteligjencës Artificiale, Diellën, po punohet për transferimin e korpusit ligjor të BE-së.

“Po ashtu po punojmë për diçka që ne besojmë se do të jetë e fjalës së fundit që është prokurimi publik me AI, për t’i hequr njerëzit nga procesi dhe për të bërë që prokurimi të kryhet nga AI. Deri më tani kemi ecur mirë”, theksoi Rama.

Të ngjajshme

Të fundit