4.8 C
Skopje
E martë, 30 Dhjetor, 2025

Rama: Viti 2025 mbyllet me rritjen ekonomike 3.9%, nga janari paga minimale 500 euro

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se viti që po mbyllet ka qenë një ndër më pozitivët për ekonominë shqiptare, me tregues inkurajues në disa sektorë kyç.

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, të mbajtur në Kryeministri, Rama u shpreh se ekonomia pritet të mbyllet me një rritje prej 3.9%, ose pothuajse 4%, duke e cilësuar këtë si një nga performancat më të mira në rajon dhe në kontinentin europian.

Sipas tij, bizneset e reja janë shtuar me rreth 20% gjatë 11-mujorit të vitit 2025, ndërsa investimet e huaja kanë shënuar rritje mbi 10% vetëm në tremujorin e tretë të vitit. Po ashtu, stoku i investimeve të huaja rezulton më i lartë me mbi 10% krahasuar me një vit më parë.

Kryeministri bëri të ditur se paga mesatare në tremujorin e tretë ka arritur në 833 euro, duke shënuar një rritje të ndjeshme.

Ai njoftoi gjithashtu se në ditët në vijim hyn në fuqi ligji për pagën minimale, e cila do të shkojë në 500 euro dhe do të prekë një numër të konsiderueshëm punonjësish si në sektorin privat, ashtu edhe në atë shtetëror.

Sipas Ramës, për një periudhë 9-mujore, kontributet për këta punonjës do të mbulohen nga punëdhënësit.

Të ngjajshme

Të fundit