13.8 C
Skopje
E shtunë, 28 Shkurt, 2026

Ramadani: Shqipëria do të jetë befasia e “Euro2024”

Mesfushori shqiptar i Lecce, Ylber Ramadani, ka bërë disa deklarata për “Corriere dello Sport”. Fjalët e tij janë në funksion të ndeshjes së mbijetesës kundër Cagliarit, por shkojnë deri te finalet e “Euro 2024”, të cilat mezi i pret t’i luajë si pjesë e kombëtares kuqezi.

Bilanci i ekipit – “Sezoni, sigurisht ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, por ne e dimë mirë që ende nuk ka përfunduar. Duhet të vazhdojmë të mbledhim pikë, sepse kemi një objektiv shumë të rëndësishëm për të arritur. Sezoni ka nisur, siç po thosha, në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ka një pozitivitet të madh. Kjo tashmë është një gjë e shkëlqyer për ta parë me besim të ardhmen”.

Bilanci personal – “Unë u përshtata shumë mirë që në fillim. Duhet të them se edhe familja ime u ambientua shpejt, gjithashtu. Më mirëpritën në dhomat e zhveshjes, ka një atmosferë të këndshme me pjesën tjetër të shokëve të skuadrës. Kjo më pëlqen shumë. A jam unë një lider? Do të thosha jo, sepse ka shumë prej tyre në grupin tonë. Është e qartë, megjithatë, se ky rol kërkon personalitet të madh. Ndihem mirë, mesfushori qendror është një pozicion që më pëlqen. Lidhur me këtë dua të sqaroj një gjë. Pikët që kemi fituar janë rezultat i përpjekjeve që grupi, me unitet dhe kompaktësi, ka mundur të bëjë deri në këtë moment”.

Marrëdhënia me mjedisin te Lecce – “Duhet të pranoj se D’Aversa më ndihmoi shumë. Trajneri më shpjegoi se çfarë dëshiron nga unë dhe në cilat aspekte mund të përmirësohem. Dhe kur flasim për këtë së bashku, ndihem mirë. Është e vërtetë, unë zura vendin e një lojtari si Morten, i cili ishte i preferuari i tifozëve sezonin e kaluar, por po ashtu, falë mbështetjes së tyre kam pasur një paraqitje të rëndësishme deri tani. Afërsia e tifozëve më shtyu, ditë pas dite, të jap gjithçka dhe më shumë në fushë. Njerëzit e Lecce më mbështesin shumë, goli im ishte edhe për të gjithë tifozët tanë. Në atë moment historik na mungonte fitorja dhe ndaj Frosinone ishte një ndeshje shumë e rëndësishme. Nuk do t’jua fsheh që isha i emocionuar, madje jo pak”.

Lëvizja në verë – “Mjaftoi vetëm një telefonatë. Kur agjenti im foli me drejtorin, menjëherë kuptuam që Lecce ishte zgjidhja e duhur për mua. Vërtet, nuk u desh shumë. Sigurisht që është një hap shumë i rëndësishëm për mua dhe familjen time. Kemi vuajtur shumë në të kaluarën dhe e gjitha kjo i shpërblen sakrificat. Është një kënaqësi e madhe”.

Objektivi sezonal – “Në këtë moment, objektivi im i parë dhe i vetëm është të siguroj mbijetesën e Lecce në Serie A, para javës së fundit të kampionatit. Pas kësaj do të shohim se çfarë mund të bëjmë, por kemi një mision të qartë dhe unë jam i fokusuar në këtë. Në Lecce tani ndihem si në shtëpinë time”.

Grupi – “Pikët që kemi fituar janë rezultat i përpjekjeve që grupi, me unitet dhe kompaktësi, ka mundur të bëjë deri në këtë moment”.

Europiani 2024 – “Jemi në një grup shumë të komplikuar, por ne mund të jemi surpriza. Kombëtarja jonë ka një grup solid lojtarësh, që mund të bëjë shumë mirë. Shumë prej nesh luajnë në ligat kryesore evropiane, edhe djemtë e rinj mund të bëjnë gjithashtu shumë mirë. Do të jetë një aventurë e madhe”.

Të ngjajshme

Të fundit