Muaji Ramazan është kohë e pendimit të sinqertë, e pastrimit të zemrave, e ngjitjes dhe lartësimit të shpirtrave drejt pastërtisë dhe dëlirësisë, larg materies dhe nefsit. Është koha e adhurimit, ku njeriu i tëri i përkushtohet Allahut dhe kur reduktohet roli i stomakut. Ai nuk është muaji i ngrënies dhe pijes pa masë. I Dërguari i Allahut na këshillon që të mos e tepro-jmë me ushqim dhe pije dhe kjo vlen edhe gjatë kohës së iftarit: “Njeriu kurrë nuk mbush e në më të keqe se stomakun e tij, një pjesë të stomakut le ta mbushë me ushqim, një pjesë me ujë dhe një pjesë le ta lërë të zbrazet që të marrë frymë lirshëm.” (Tirmidhi dhe Ibni Maxhe).
Çdo dispozitë islame që vjen prej Allahut të Gjithëdijshëm dhe të Gjithëmëshirshëm është për të mirën e njeriut. Ato synojnë pastrimin e njeriut dhe të shpirtit të tij nga çdo njollë, si dhe pajisjen e karakterit të tij me virtyte dhe cilësi pozitive. Agjërimi është faktor i pazëvendësueshëm në edukimin moral të njeriut dhe formimin e personalitetit të tij. Ramazani duhet të shfrytëzohet si një përvojë e papërsëritshme që të përmirësojmë gjendjen tonë sepse “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë çka kanë në vetvete.” (Er Ra’d: 11).
Ramazani është muaji i pendimit, i dhikrit dhe adhurimit të Allahut në çdo çast dhe i shtimit të veprave të mira. Ai është muaji i mirësive dhe i begative, muaji i shpërblimeve dhe dhuratave të pamasa: “Kush e kalon muajin e Ramazanit duke u falur gjatë natës, duke besuar fort dhe duke shpresuar shpërblim të mirë (vetëm nga Allahu), atij do t’i falen mëkatet e mëhershme”. (Buhariu dhe Muslimi)
Agjërimi i pastron zemrat që janë vend i dashurisë, mëshirës dhe guximit dhe kultivon te myslimani cilësinë e vigjilencës së vazhdueshme të Allahut. Ai fisnikëron shpirtrat, që janë vend i përkushtimit, devotshmërisë, nderit, moralit dhe virtyteve njerëzore: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm..” (El Bekare: 183). Prandaj, agjërimi më shumë duhet të ndihet me zemër dhe shpirt se sa të njihet dhe kuptohet me logjikë e arsye. Pikërisht për këtë, krahas agjërimit, në këtë muaj të bekuar është bërë obligim (vaxhib) edhe sadakatul-fitri dhe preferohet dhënia e zekatit të obligueshëm, si dhe ndihma e të varfërve. Për rrjedhojë, të gjithë myslimanët gjatë këtij muaji janë më të devotshëm, më dorëlirë dhe më modestë. Në një hadith, Pejgamberi a.s. thotë: “O njerëz, përhapeni selamin, ushqejini ata që kanë nevojë, mbajini lidhjet farefisnore dhe faluni gjatë natës kur të tjerët bëjnë gjumë, do të hyni në xhenet.” (Tirmidhi & Ibni Maxhe) Kusht për një jetë të virtytshme dhe të moralshme është harmonia e brendshme mes instinkteve të nevojshme dhe synimeve morale. Duke mposhtur epshet që nxisin në mosbindje dhe gjynah, duke u liruar nga gjërat materiale dhe nga robërimi ndaj tyre, agjëruesi bëhet rob i vërtetë i Allahut.
Agjërimi është një metodë e përsosur për zhvillimin e virtyteve individuale dhe për kontrollin e vetvetes. Ai synon ta pasurojë shpirtin dhe zemrën me sinqeritet, mëshirë, mirësi
dhe humanizëm. Pejgamberi a.s. i përgëzonte shokët e tij më ardhjen e muajit fisnik dhe u thoshte: “U erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e tij. Në të hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe lidhen shejtanët. Në të është një natë më e vlefshme se njëmijë muaj, kush privohet nga e mira e saj është privuar (prej shumë të mirave).”
Gjithsesi, besimtari gëzohet me hapjen e dyerve të xhenetit, mbylljen e dyerve të xhehenemit dhe me lidhjen e shejtanëve.
