2.8 C
Skopje
E premte, 13 Mars, 2026

Ramiz Lladrovci pas votimit në PDK: Nuk jam rrëzuar, qytetarët e Drenasit e kanë fjalën e fundit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, ku u zhvillua një votim për çështje të brendshme partiake që përfshiu edhe emrin e tij.

Përmes një deklarate publike, Lladrovci u shpreh se qëndron i palëkundur dhe se për më shumë se katër dekada nuk është rrëzuar, duke lënë të kuptohet se sfidat e fundit politike nuk e kanë lëkundur pozicionin e tij.

“Deri sot nuk jam rrëzuar, kush më njeh me mbi katër dekada këtë e di”, shkroi Lladrovci.

Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në procesin e votimit – si ata që votuan pro, ashtu edhe kundër, përfshirë edhe ata që abstenuan. Por, në të njëjtën kohë, ai u shpreh se kjo shënon “fillimin e fundit politik” për, siç i quajti, “bedelët dhe përkrahësit e tyre”.

“Respekt për votat pro dhe kundër në seli të PDK-së, po ashtu, faleminderit atyre që nuk morën pjesë në votim. Ky është fillimi i fundit politik për bedelët dhe përkrahësit e tyre,” shtoi ai.

Në fund, Lladrovci theksoi se vendimin përfundimtar do ta japin qytetarët e Drenasit dhe la të kuptohet se është gati për një mandat të ri:
“Qytetarët e komunës së Drenasit e kanë fjalën e fundit, bashkë, vazhdojmë, +4!”

Deklarata e tij vjen në një kohë të trazuar për PDK-në, ku tensionet dhe përplasjet e brendshme kanë qenë të dukshme në muajt e fundit.

Të ngjajshme

Të fundit