15.8 C
Skopje
E hënë, 16 Shtator, 2024

Rasti “ALFA”, familjarët të zhgënjyer nga organet e drejtësisë!

Mungesa e gjykatëses Anita Boshkovska (për arsye shëndetësore) ka çuar edhe në një zvarritje seancën gjyqësore për rastin “Alfa” nga ku pritej vendimi ndaj të akuzuarit Almir Derplanin e që do të mund të hapte rrugën për rigjykim. Në seancë nuk u paraqit as prokurori në cilësinë e përfaqësuesit të akuzës, Bodan Llazarevski për të cilin mësohet se me 13 nëntor është pensionuar, ndërsa Prokuroria Republikane duhet të delegon përfaqësues tjetër.

Ajo që sot u vërejt në seancë ishte trupi i ri gjykues me në krye gjykatësin Xhemali Saiti. Bashkë me të këshillin e përbëjnë edhe gjykatësit: Shpend Devaja, Elica Kërstevska, Mirjana Llazarevska dhe Anita Boshkovska. Familjarët e të akuzuarve të dëshpëruar thanë se gjykatat tashmë 15 vite po zvarrisin këtë rast me qëllim që të mos arrihet deri tek zbardhja.

“Duke pasur parasysh se neve kemi një super ekspertizë tashmë 21 muaj ku Gjykata e Apelit e vonoi 16 muaj ndërsa Gjykata Supreme tashmë 5 muaj po zvarrit lëndën për Almirin, nuk kam më koment. Unë e kam pritur si ditë të madhe por në fakt doli një ditë e vogël si 15 vite me radhë që ka qenë e njëjta”, tha Ramiz Dauti, Ish i arrestuar në rastin “Alfa”.

Avokati i Almir Derplaninit, Asmir Alispahiç tha se beson në trupin e ri gjykues se do të sjell vendimin e duhur.

“Besoj se ky trup gjykues do të ketë mirëkuptimin mbi ankesën e dorëzuar si dhe faktin që ka një ekspertizë serioze në Gjykatën Penale e cila sqaron shumë fakte dhe pretendime se të akuzuarit nuk janë pjesëmarrës në ngjarjen e përgjakshme më 26 nëntor të vitit 2008 në Shkup”, deklaroi Asmir Alispahiq, Avokat i Almir Derplaninit.

Më 26 nëntor mbushen plot 15 vite nga vrasja në fakultetin matematiko-natyror në Shkup, rast për të cilin më burg të përjetshëm u dënuan: Rexhail Qerimi (tashmë i ndjerë), Agim Islami dhe Almir Derplanini. Ky i fundit u dënua në mungesë dhe me procedurë të veçuar nga Islami dhe Qerimi. Pavarësisht se mbrojtja ka përgatitur super-ekspertizë në të cilën është konstatuar se të akuzuarit në këtë rast nuk janë personat që kanë kryer vrasjen e policit në vitin 2008, Gjykata Penale ka vlerësuar se për ta çuar rastin në rigjykim, nevojitet kompletimi i lëndës. Por lënda do të shkonte në rigjykim vetëm në rast se Supremja vendos që kundër Derplaninit duhet të rigjykohet. Nëse shkalla më e lartë vërteton atë që bëri Gjykata e Apelit, pra vërtetimin e shkallës së parë, shanset që rasti “Alfa” të rihapet janë të vogla, pavarësisht se dispozitat ligjore mundëson që mbi bazën e dëshmive të reja si ekspertiza procedura rikthehet dhe rasti shkon në rigjykim pa pasur nevojë për vendimin e Supremes, të paktën në rastin e Agim Islamit.

Për rastin “Alfa” është premtuar shumë, madje premtime politike në fushata zgjedhore dhe programe partiake janë formuluar me të zezë mbi të bardhë, por kjo nuk ka mjaftuar që Agimi, Almiri dhe Rexhaili tashmë i ndjerë të shijojnë lirinë. Eksponentë të caktuar politik madje kishin deklaruar publikisht se Agimi është i pafajshëm, por deklarata e tyre mbetën të tilla dhe pa efekte juridike. Seanca e radhës u caktua për 25 dhjetor në orën 10. Deri atëherë Prokuroria duhet të delegon prokurorin e ri, ndërsa trupi gjykues të shqyrton ankesën e mbrojtës së Derplaninit për lartësinë e dënimit.

 

Burimi Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit