Samir Thaçi, vallëtar i njohur i Ansamblit Shqiptar, ka reaguar me shqetësim ndaj përjashtimit të disa valltarëve të përkushtuar nga përbërja aktuale e ansamblit. Përmes një deklarate publike, Thaçi ka shprehur keqardhjen e tij të thellë dhe ka bërë thirrje për rishikimin e këtij vendimi, duke theksuar kontributin e madh që këta artistë kanë dhënë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, informon POPULLI.mk
“Me keqardhje dhe shqetësim të madh është marrë vendimi që disa valltarë të talentuar dhe me përkushtim të gjatë ndaj ansamblit tonë të mbeten jashtë përbërjes aktuale të grupit”, ka thënë Thaçi.
Ai nënvizoi se këta valltarë, të cilët kanë përfaqësuar me krenari traditat shqiptare në skena vendore dhe ndërkombëtare, janë pjesë e historisë artistike të ansamblit dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e kulturës kombëtare.
Thaçi u bëri thirrje drejtuesve të Ansamblit Shqiptar dhe komunitetit kulturor që të rishikojnë këtë vendim, duke u bazuar në meritën dhe përkushtimin e artistëve të përjashtuar. “Në emër të drejtësisë dhe transparencës, kërkojmë që kjo situatë të rishikohet dhe premtimet për përfshirjen e tyre të zbatohen”, shtoi ai.
Ai theksoi gjithashtu se bashkimi dhe solidariteti janë thelbësorë për forcimin e komunitetit artistik dhe për arritjen e qëllimeve të përbashkëta.
“Kultura jonë është pasuria jonë më e çmuar, dhe çdo individ që i shërben asaj meriton mbështetjen dhe respektin e të gjithëve”, përfundoi Thaçi, duke shpresuar që ky apel të gjejë veshë të hapura dhe zgjidhje të drejtë për situatën e krijuar.
Reagimi i Samir Thaçit pritet të ngjallë debat dhe të nxisë diskutime mes komunitetit artistik dhe drejtuesve të ansamblit. / © POPULLI.mk