Janë zbuluar rrjete kriminale të organizuara të cilat kanë kryer vepra kriminele me mbi 230 automobila të përdorur, 230 kilogramë drogë dhe 600 kilogramë anabolikë, është parandaluar një tentativë për të kontrabanduar ar në vlerë prej gjysmë milionë euro, 30 kilogramë argjend, mbi 200 kilogramë barna dhe mbi 10 mijë kilogramë suplemente, 400 mijë pako me cigare dhe puro. Në 94 raste të shkeljes së të drejtave të pronësisë intelektuale janë konfiskuar 180 mijë copë mallra, njoftoi drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski në konferencën për shtyp për raportin mbi punën 1-vjeçare nën udhëheqien e tij.
Nikollovski thotë se u parandaluan kundërvajtje dhe vepra penale, me gjithsej 520 raste të sekuestrimeve të regjistruara, që sipas tij, janë dyfish më shumë se vitin e kaluar.
Shton se janë ngritur 181 kallëzime penale për krime të kryera kundër 307 personave fizikë dhe 99 personave juridikë, ose, siç theksoi ai, katër herë e gjysmë më shumë krahasuar me vitin e kaluar kur u ngritën 42 kallëzime penale.
“Këto janë rezultate historike të cilat do të mbahen mend në historinë e Drejtorisë Doganore, theksoi Nikollovski.
Kjo sipas Nikollovskit ka rezultuar në mbledhje më të lartë të të ardhurave në Buxhet.
“Kështu, gjatë periudhës së kaluar njëvjeçare, kemi mbledhur të ardhura në vlerë prej mbi dy miliardë eurosh, ose pothuajse 105 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e mëparshme. Ka një rritje të të ardhurave në çdo bazë. Të ardhurat nga taksat doganore shënuan një rritje prej 15.2 për qind, nga akciza për 7.1 për qind, ndërsa të ardhurat nga taksa e automjeteve shënuan një rritje prej 17 për qind. Kjo përfaqëson një shumë serioze që derdhet në Buxhet për më shumë investime kapitale, të cilat kanë stimuluar aktivitetin ekonomik dhe kanë çuar në rritje më të lartë ekonomike”, theksoi Nikollovski.



