3.8 C
Skopje
E hënë, 22 Dhjetor, 2025

Rikthehet vala e protestave, askush i kënaqur me qeverisjen e Kovaçevskit?

Ajo me të cilën karakterizohej 100 ditshi qeverisjes së Kovaçevskit ishte fakti që vendi vërshohej nga një sërë protestash të organizuara pothuajse nga të gjitha sindikatat në vend. Protestat kanë vazhduar kohë pas kohe, por tani në fundin e qeverisjes është rikthyer vala e njëjtë sikurse në fillim, të gjithë në rrugë për paga më të larta e status të dinjitetshëm. Në realitet kush mbeti pa protestuar prej kur Kovaçevski është kryeministër, përgjigja më korrekte do të ishte gjithkush po proteston, por protestat më të dhimbshme janë ato në heshtje pa zhurmë përmes largimit nga vendi, shkruan Zhurnal.

Kush mbeti pa protestuar para Qeverisë Kovaçevski?

Ajo me të cilën karakterizohej 100 ditshi qeverisjes së Kovaçevskit ishte fakti që vendi vërshohej nga një sërë protestash të organizuara pothuajse nga të gjitha sindikatat në vend. Por, protestat po e shoqërojnë kryeministrin edhe në ditët e fundit të tij në krye të Qeverisë. Kështu që vala e protestave është rikthyer sërish madje edhe me intensitet më të lartë ku të gjithë po protestojnë dhe janë në rrugë.

Protestohet para Ministrisë së Shëndetësisë në Maqedoni, kërkohet rritje të pagave deri 30% –

Rritja e pagave prej 30% është kërkesa kryesore e anëtarëve të Sindikatës së Pavarur të Shëndetësisë që protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë. Ata paralajmëruan protestë para Qeverisë më 2 dhjetor nëse ndërkohë nuk thirren në mbledhje në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Gjatë pandemisë së Kovid-it ishim atje ku kishte nevojë, madje edhe në KARIL. Të gjitha kujdestaritë tona, të gjitha orët tona jashtë orarit ishin të papaguara. Punojmë pa sigurim shëndetësor, e paga prej 20.000 denarëve, 1800 denarë paguajmë sigurim shëndetësor, pra marrim 18.200 denarë pagë. Ne nuk kemi të drejtë pushimi, as për pushim mjekësor”, tha Diana Donova, infermiere nga Poliklinika “Jane Sandanski”.

Protestë e organeve të gjyqësisë dhe prokurorisë, kërkojnë mbështetje nga deputetët për paga më të larta –

Punonjësit e organeve të gjyqësisë dhe prokurorisë publike, Fondit të Shëndetësisë, si dhe nga Zyra e Avokatit të Popullit, në organizim të Sindikatës së Punëtorëve të Administratës, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve (AOGJSH), kanë protestuar para Kuvendi, nga ku thirrën deputetët e të gjitha partive politike, të cilat tashmë kanë propozim për buxhetin e vitit të ardhshëm, t’i mbështesin në kërkesat e tyre për rritje pagash.

Protesta, e cila u përkrah nga disa zyrtarë administrativë dhe disa sindikata, para Kuvendit, siç ishte paralajmëruar, do të vazhdojë para Ministrisë së Drejtësisë dhe do të përfundojë para Qeverisë.

Të punësuarit nga shërbimi  gjyqësor dhe i prokurorisë publike që nga 27 shtatori janë në grevë, duke kërkuar pagesën e shtesave të pagave dhe rritjen e pagave prej 78 për qind, shuma me të cilën u rritën pagat e të zgjedhurve dhe të emëruarve.

Protestë e të punësuarve në zyrën e Avokatit të Popullit të pakënaqur nga pagat dhe statusi të cilin e kanë si nëpunës –

Anëtarët e Sindikatës së punonjësve të Drejtorive, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve të RM-së (AOGJSH), para Avokatit të Popullit mbajtën protestë të qetë ku e shprehën revoltën e tyre nga statusi i tyre të cilin e kanë si nëpunës administrativ.

Këshilltari shtetëror i Avokatit të popullit dhe kryetar i organizatave sindikaliste pranë AP, Marjan Poljaviq, në një deklaratë për mediat kërkoi pa vonesë të rriten pagat e të punësuarve te Avokati i Popullit, sepse siç tha, të ardhurat e tyre mujore aktualisht mbesin shumë nën pagat e organeve tjera rregullatore të pavarura si dhe të punësuarve në administratë në përgjithësi.

“Njëkohësisht, në kuadër të kërkesës sonë do të dëshiroja t’ju inofmoj se gjatë themelimit të AP-së në vitin 1998, pagat e nëpunësve zyrtarë ishin me koeficientë të barabartë të rangut të gjyqtarëve në Gjykatën Themelore, që do të thotë se shteti në të kaluarën ka pasur më shumë sens për vlerën e këtij institucioni si mbrojtës i të drejtave të qytetarëve”, porositi Ponjaviq.

Sindikata: pagat e ulta arsyeja e largimit nga vendi –

Organizata Sindikale nis aktivitete të grevës nëse autoritetet nuk i përmbushin kërkesat e tyre. Bëhet fjalë për harmonizimin e pagave të punonjësve në Fondin për Sigurim Shëndetësor komfor pagave në administratën e Qendrës Klinike dhe Spitalit Klinik. Afati sipas tyre është deri në përfundimin e nëntorit. Gjithashtu kërkohet të formohet Komisioni për Marrëveshjen Kolektive dhe të miratohet deri në përfundim të këtij viti kalendarik.

Punonjësit në Fondin për Sigurim Shëndetësor kërkojnë shkarkimin e Drejtorit të sektorit të financave. Sipas tyre pagat në FSHS janë më të ulta nga të gjitha organet e administratës shëndetësore që ka ndikuar në largimin e punonjësve nga vendi.

“Punonjësit e FSSH-së kanë paga më të ulta nga të gjitha organet e administratës shtetërore. Më shumë se 50 përqind e të punësuarve nuk mund të arrijnë shportën minimale sindikaliste e cila tani arrin në 48.389 denarë. Shembull farmacistët, mjekët, stomatologët, paga e tyre arrin në 27.000 denarë, kjo situatë kontribuon në largimin nga vendi i punës”, tha Trpe Deanovski, organizata sindikale.

Ndryshe, përgjigja e pyetjes se kush mbeti pa protestuar para Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski, është se të gjithë kanë protestuar, vetëm në forma të ndryshme. Mbase, ky kryeministri që shpesh herë cilësohet si “njeriu më me fat në botë” që u bë kryeministër pa ëndërruar fare vetëm është zgjuar në krye të Qeverisë, duket që nuk është kështu. Pasi është përballur e po vazhdon të përballet me një sërë protestash e pakënaqësi nga qytetarët që këtë po e shprehin me revoltë para Qeverisë e kudo tjetër, por më të dhimbshme janë protestat në heshtje pa zhurmë përmes largimit nga vendi. /Zhurnal.mk

Të ngjajshme

Të fundit