Një gjykatë turke dënoi të mërkurën kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu, rivalin kryesor të presidentit Tajip Erdogan, me më shumë se dy vjet burg, si dhe i ndaloi angazhimin në politikë, për akuzat e fyerjes së zyrtarëve publikë. Vendimi pritet që të apelohet.
Ky zhvillim vjen vetëm gjashtë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Imamoglu shihet si kandidati më i fortë përballë presidentit Erdogan. Megjithatë opozita turke nuk e ka përcaktuar ende zyrtarisht kandidatin e saj për president.
Imamoglu, anëtar i Partisë Popullore Republikane (CHP), u gjykua për një fjalim të mbajtur pas zgjedhjeve lokale të vitit 2019 në Stamboll, gjatë të cilit tha se ata që anuluan rezultatin e zgjedhjeve ishin “budallenj”. Akuza e ngritur nga prokurorët parashikon një dënim maksimal prej katër vitesh. Imamoglu, fitoi me rezultat të ngushtë zgjedhjet për kreun e bashkisë së Stambollit, që u mbajtën në mars të vitit 2019. Ai mposhti kandidatin e Partisë AK në pushtet të presidentit Erdogan. Pas anulimit të rezultateve që çuan në përsëritjen e procesit zgjedhor, ai fitoi me rezultat më bindës. Fitorja e tij i dha fund kontrollit 25-vjeçar të Stambollit nga partia e Erdoganit dhe paraardhësit e saj islamik.
Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2023 do të varet nga aftësia e partisë opozitare CHP si dhe forcave të tjerave politike në opozitë për t’u bashkuar rreth një kandidati të vetëm, me synimin për të sfiduar presidentin Erdogan dhe partinë AKP, e cila qeveris Turqinë prej dy dekadash. Tashmë çështja Imamoglu pritet t’i kalojë Apelit, duke u zgjatur potencialisht përtej zgjedhjeve që mbahen në qershor të vitit 2023. Kritikët thonë se gjykatat turke i nënshtrohen vullnetit të presidentit Erdogan megjithëse qeveria pretendon se gjyqësori është i pavarur.