Raporti thekson nevojën për forcimin e rolit të Parlamentit maqedonas për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë, për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, me qëllim vazhdimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE).
“Puna e Parlamentit u dëmtua nga polarizimi politik, i cili u thellua më tej, duke vonuar miratimin e shumë ligjeve reformuese dhe emërimeve të rëndësishme. Procesi i negociatave për anëtarësim në BE kërkon konsensus të gjerë të partive kryesore politike. Të gjitha partitë duhet të fillojnë të angazhohen për një debat politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, për të forcuar rolin e Parlamentit dhe procesin e negociatave të pranimit në BE”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.
Raporti prej 120 faqesh ka kritikuar partitë në pushtet për “përdorimin e tepruar dhe ndonjëherë të papërshtatshëm të ‘flamurit të BE-së’ për miratimin e ligjeve”.