Katër afera të mëdha korruptive janë në fokus të institucioneve ligjzbatuese në Maqedoninë e Veriut, shkruan POPULLI.mk
Llotaria Shtetërore, TEC Manastir dhe Oslomej, si dhe skandali i dhënies së pasaportave për figura të njohura kriminale, po hetohen nga organet kompetente. Këto raste, të cilat kanë përfshirë shuma të mëdha financiare dhe kanë dëmtuar rëndë imazhin e institucioneve shtetërore, kanë tronditur opinionin publik dhe kanë nxjerrë në pah dobësitë në sistemin e mbikëqyrjes dhe menaxhimit institucional.
Prokuroria dhe policia kanë shtrirë kapacitetet e tyre për të hetuar në thellësi këtë rrjet të ndërlikuar korrupsioni. Përfshirja e figurave politike, nga pushteti aktual dhe ai i kaluar, ka vënë theksin te nevoja për një sistem të pavarur drejtësie dhe zbatim rigoroz të ligjit. Këto afera nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një strukture kriminale me shtrirje piramidale, ku individë të fuqishëm nga sektori publik dhe privat kanë bashkëpunuar për përfitime personale.
Krimi dhe korrupsioni kërkojnë një qasje të koordinuar dhe të ashpër nga institucionet përkatëse. Nën hetim janë disa figura të profilit të lartë, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur funksionet e tyre për të siguruar përfitime të paligjshme. Kjo situatë ka rritur presionin mbi qeverinë dhe institucionet që të tregojnë transparencë dhe llogaridhënie. Vetëm përmes hetimeve të plota dhe ndëshkimit të drejtë të fajtorëve, do të mund të rikthehet besimi i qytetarëve në shtet dhe në sistemin e drejtësisë. / © POPULLI.mk