Çdo qytetar i Maqedonisë së Veriut ka borxh prej 2444 euro dhe kursen mesatarisht 3.830 euro në bankë. Të dhënat e fundit të Bankës Popullore tregojnë se kreditë e amvisërive arritën në gati 4.4 miliardë euro, ndërsa kursimet arritën në gati 6.9 miliardë euro. Qytetarët e Maqedonisë më shpesh marrin hua me kredi konsumatore për të blerë apartamente, por disa klientë të bankave kërkojnë kredi edhe për të blerë një makinë. Trende të tilla vazhduan gjatë verës, kur qytetarët më shpesh marrin hua me kredi konsumatore, të cilat shpesh nevojiten për të mbuluar shpenzimet e shkuarjes në pushime ose rinovimit të shtëpisë së tyre. Të dhënat e fundit tregojnë se deri në shtator qytetarët kanë borxh prej mbi 2.2 miliardë euro për kredi konsumatore, mbi 1.7 miliardë euro për kredi banesore, dhe mbi 100 milionë euro për kartela kreditore dhe minus në llogaritë rrjedhëse. Shumë më i vogël është numri i qytetarëve që blejnë vetura me kredi për çka kreditë në banka janë afër 7 milionë euro.
Që nga viti 2016 kur qytetarët në mesatare kishin një borxh prej 992 euro, është rritur dukshëm për dy herë e gjysmë ky detyrim ndaj bankave. Me fjalë tjera është rritur më shumë se për dy herë borxhi i amvisërive ndaj bankave që nëntë vite më parë ishte 2 miliardë e 55 milionë euro. Njëherësh janë dyfishuar edhe kursimet e qytetarëve nga mbi 3.4 miliardë euro sa ishin në vitin 2016. Ekspertët thonë se rritja e borxhit mund të interpretohet si rezultat i situatës së dobët socio-ekonomike të popullsisë. “Është e vërtetë që supozimi se rritja e borxhit është pasojë e standardit të ulët të jetesës së qytetarëve dhe se ata drejtohen te kreditë në mungesë të parave nuk është pa bazë”, thonë ekspertët.
Fakti është se shumë qytetarë nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të hyjnë në borxh sapo del një shpenzim i madh. Vjeshta është më e keqja. Pothuajse në të njëjtën kohë, duhet ti përgatisim fëmijët për në shkollë, të blejmë dru për ngrohje dhe të furnizohemi me gjësende për dimër. Andaj nuk mund t’i financojmë këto harxhime me pagat tona. Nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse se të hyjmë në borxh te familjarët apo në bankë. Vitin e kaluar huazuam një kredi prej 5000 euro që financoi shpenzimet e lartpërmendura dhe shlyem borxhet e papaguara”, thotë P. S nga Shkupi.
Më shumë se gjysma e popullsisë në Maqedoni jeton në varfëri, dhe paga mesatare mjafton vetëm për nevojat themelore dhe sa për të kaluar muajin. Këtë e tregon anketa e kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI), përkatësisht vetëm 4 për qind e qytetarëve të Maqedonisë kanë të ardhura të mjaftueshme, ndërsa 64 për qind mezi ia dalin mbanë.
Njëherësh as paga minimale dhe as 48 mijë denarë nuk mbulojnë vlerën e shportës sindikale që në shtator arriti vlerën e 65 mijë denarë. Në shtator, depozitat totale të familjeve apo kursimet shënuan një rritje mujore prej 1.2 për qind. Rritja ishte kryesisht për shkak të rritjes së depozitave pa afat, depozitave afatgjata në denarë dhe depozitave afatshkurtra në valutë të huaj. Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, u arrit një rritje prej 13.6 për qind, kryesisht për shkak të depozitave më të larta pa afat dhe depozitave afatgjata në denarë, me një rritje më të vogël në komponentët e tjerë.
Gjithashtu, në shtator, kreditë e familjeve u rritën me 1.0 për qind dhe 10.8 për qind në baza mujore dhe vjetore. Në shtator 2025, të analizuara sipas qëllimit të kredive të dhëna individëve, kreditë konsumatore dhe ato të banesave, si kategoritë më të përfaqësuara, u rritën me 0.9 për qind dhe 1.6 për qind në baza mujore, përkatësisht me një rritje vjetore prej 10.2 për qind dhe 16.1 për qind. /Koha/
