32 C
Skopje
E diel, 9 Gusht, 2026

“Rrjedhin” punësimet parazgjedhore në listën e Bashkim Hasanit!

Bashkim Hasani nga koalicioni VLEN, ka paralajmëruar se është në përfundim të përpilimit të një liste të gjatë me të rinj shqiptarë të punësuar në institucionet shtetërore, informon POPULLI.mk

Në një status në Facebook, Hasani thekson se kjo nismë nuk ka për qëllim informimin e BDI-së, pasi – sipas tij – ata tashmë janë të informuar mirë për këto punësime, madje kanë bërë përpjekje për t’i bllokuar disa prej tyre.

“Po finalizoj një listë me të rinj shqiptarë të punësuar në institucionet shtetërore. Jo për t’i informuar ata në BDI – ata i dinë mirë të gjithë, se për shumë prej tyre madje kanë luftuar t’i ndalojnë që të punësohen”, shkruan Hasani.

Ai thekson se arsyeja e publikimit të kësaj liste është për të ndalur dezinformatat dhe për t’u dhënë përgjigje atyre që simulojnë brengë për mos-punësimin e shqiptarëve.

“Lista do jetë e gjatë – mbi 2000 punësime. Prandaj, mos e fikni kompjuterin për 5 ditë që ta shkarkoni. Punësime ka mjaftueshëm. Vetëm se nuk janë në listat tuaja, që i shfrytëzoni për zgjedhje”, përfundon Hasani.

Statusi i Hasanit vjen në një kohë kur partitë politike shqiptare po përgatiten për fazat e ardhshme të procesit zgjedhor dhe kur temat e përfaqësimit dhe punësimit në institucione janë ndër më të përfolurat në diskursin politik. / © POPULLI.mk