9.8 C
Skopje
E diel, 25 Janar, 2026

“Safe City” nuk është kundër qytetarëve, Ilir Demiri hedh poshtë akuzat

Të nderuar qytetarë,

Më lejoni që, përmes këtij shkrimi, të sqaroj disa çështje me interes publik meqë emri im lakohet ndjeshëm këtyre ditëve – më duhet të qartësoj atë se cili është pozicioni im moral, i bazuar në parime, përgjegjësi dhe ndërgjegje personale.

Për mua politika nuk ka qenë dhe nuk është profesion, por mjet shërbimi. Kyçja ime në politikë nuk ka qenë për përfitime personale apo interesa të ngushta, por si rezultat i një rruge jetësore dhe profesionale të ndërtuar mbi përgjegjësi dhe shërbim ndaj komunitetit dhe shoqërisë.
Ky angazhim ka ardhur pas vlerësimit dhe mbështetjes së vazhdueshme nga qytetarët, gjë që më orientoj të vë në dispozicion çdo kapacitet dhe potencialin tim në shërbim të ndryshimit real, me impakt të drejtpërdrejtë në atë çka është thelbësore pra cilësia më e lartë e jetës së qytetarit dhe shërbesa drejt këtij misioni.

Që nga fillimi i karrierës sime si mjek, jam betuar se do t’i shërbej qytetarit pa dallim nacionaliteti apo feje, sepse mbi çdo identitet qëndron dinjiteti njerëzor. Ky parim ka qenë udhërrëfyesi im profesional dhe mbetet i pandryshueshëm edhe sot dhe do të mbetet i tillë deri në fund.

Me fillimin e angazhimit tim politik dhe duke e njohur nga afër sistemin shëndetësor, me mbështetjen e disa dashamirëve u propozova si drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës.
Gjendja në të cilën ndodhej spitali në atë kohë është e njohur për çdo qytetar.

Së bashku me kolegët dhe stafin, filluam nga gjërat elementare: ndalimin e uzurpimeve të pronës së spitalit, rregullimin e çështjes së parkingut, sistemimin e hapësirave, sigurimin e aparaturave të reja, vendosjen e rendit dhe funksionalitetit që i takon një institucioni shëndetësor. Këto përpjekje janë vlerësuar pozitivisht nga ju, qytetarët, dhe unë besoj se kam dhënë një kontribut të ndershëm për Spitalin e Tetovës.
Përkushtimi im për përmirësimin e këtij institucioni dhe të sistemit shëndetësor në përgjithësi nuk u kufizua vetëm në detyrën time si drejtor, por vazhdoi edhe gjatë ushtrimit të funksionit tim si Ministër i Shëndetësisë, ku punova me të njëjtën përgjegjësi dhe vizion për reforma reale dhe të qëndrueshme.

I inkurajuar nga puna dhe përgjegjësia e treguar, e pashë të domosdoshme ta çoj më tej zërin e drejtësisë. Prandaj vendosa të garoj për deputet dhe, falë votës suaj u zgjodha deputet i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Që nga dita e betimit, e kam marrë seriozisht rolin që më besuat: të jem zëri i qytetarit të ndershëm në Kuvend. Një zë që për vite me rradhë u ka munguar shqiptarëve, ndërsa shumë prej atyre që kaluan nëpër Kuvend u shndërruan në vegla të pushtetit apo interesave private. Unë u betova se do të mbetem i njëjti: pranë qytetarit, i hapur për problemet dhe i pandikuar nga pushteti.

A është rastësi që kohëve të fundit emri im lakohet kaq shpesh nëpër portale?

Ndjej obligim moral të sqaroj publikisht se: unë, Ilir Demiri, nuk kam hyrë në politikë kundër qytetarëve, as për t’u bërë pengesë e tyre. Jam këtu për të qenë urë lidhëse mes qytetarit dhe institucioneve.

Në linjë me këtë, sa i përket votimit për funksionalizimin e projektit Safe City, si e para, duhet të jetë e qartë për publikun se kjo pikë e rendit të ditës do të kalonte pavarësisht votës sime, pasi ligji do të miratohej edhe me shumicë të cilësuar. Pavarësisht kësaj, qëndrimi im pro Safe City buron nga bindja ime se ky projekt nuk është në dëm të qytetarëve, por përkundrazi kontribuon në rritjen e rendit dhe sigurisë publike. Për këtë qëndrim timin, nuk ka pasur asnjë presion ndaj meje, sepse as nuk do ta kisha lejuar një gjë të këtillë kurrë dhe për asgjë.

Ashtu siç jam deklaruar më herët, vazhdoj të veproj si deputet i pavarur.
Askush nuk mund të më kërcënojë, bindë apo joshë për të vepruar kundër interesit të qytetarëve.
Nuk bie pre e inxhinierive politike dhe përpjekjeve për njollosje, sepse jam i bindur se e vërteta gjithmonë del në dritë.
Pretendimi se vota ime ka qenë kundër shqiptarëve është i pavërtetë, i pabazuar dhe shumë naiv.

Statistikat zyrtare sipas të dhënave nga Regjistrimi i Popullsisë në vitin 2021, tregojnë qartë se ky projekt nuk targeton asnjë komunitet, por zbatohet në qytetet më të mëdha, për të gjithë qytetarët.
Unë do jem Ai i cili do kërkoj që ky projekt të vazhdojë të instalohet, e të funksionojë edhe në qytetet tjera.

Dhe po, unë jam deputet shqiptar, që mbroj mbi të gjitha interesat e komunitetit tim, e padyshim dhe të gjithë qytetarëve – pa dallime.

Praktika e vjetër e shpifjeve dhe manipulimeve nuk i shërben askujt, madje as atyre që e prodhojnë atë. Qytetarët e dinë mirë se kush dhe si ka kontribuar në gjendjen aktuale të vendit, shpesh degraduese.

Ju siguroj se unë do të vazhdoj të qëndroj në anën e qytetarit, me ndërgjegje të pastër dhe me përgjegjësi të plotë morale.

Me respekt,
Ilir Demiri

Të ngjajshme

Të fundit