Deputetja e koalicionit VLEN, Saranda Imeri, ka reaguar ashpër pas deklaratave të fundit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka akuzuar Ahmetin për hipokrizi dhe për përqendrim në interesa të ngushta familjare, në vend se në çështje të interesit publik dhe drejtësisë, informon POPULLI.mk
“Po mor burrë, si nuk u mërzite asnjëherë kaq shumë si tash, kur ndodhën rastet e montuara?!”, shkruan Imeri, duke iu referuar rasteve të njohura që kanë prekur shqiptarët ndër vite dhe që, sipas saj, nuk kanë shkaktuar ndonjë shqetësim të theksuar nga ana e liderit të BDI-së.
Deputetja vijon më tej me akuza konkrete: “Nuk e ke hallin te shqiptarët jo, hallin e ke te mazuti kancerogjen, te Soravia, ku direkt janë të përfshirë familjarët e tu dhe po hetohen!”
Në fund të reagimit të saj, Imeri shton hashtagun #llogari, duke lënë të kuptohet se kërkesa për përgjegjësi ligjore dhe politike ndaj funksionarëve të përfshirë në afera do të jetë pjesë e betejës së VLEN-it.
Reagimi vjen në një moment kur tensionet politike mes VLEN-it dhe BDI-së janë intensifikuar. / © POPULLI.mk