8.8 C
Skopje
E mërkurë, 18 Mars, 2026

Saveski drejt postit të prokurorit shtetëror, duhen 61 vota në Kuvend

Kuvendi sot duhet ta mbajë mbledhjen e 94-t në të cilën në rend dite është propozimi që Nenad Saveski të zgjidhet prokuror i ri shtetëror publik.

Saveski, i cili për momentin është gjykatës në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, prokuror publik shtetëror ishte nominuar nga Qeveria më 10 mars, ndërsa që ta marrë funksionin i nevojiten të paktën 61 vota të deputetëve. Kandidatura e tij vijon pas dorëheqjes së ish prokurorit Lupço Kocevski, ndërsa pas zbatimit të procedurës, në të cilën morën pjesë pesë kandidatë.

Nenad Saveski ka lindur në vitin 1976, jeton në Gostivar, i martuar, baba i 3 fëmijëve dhe është magjistër i shkencave juridike – e drejta penale. Ka magjistruar në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në USHCM- Shkup, ku edhe ka përfunduar studimet. Ka dhënë provimin e jurisprudencës në vitin 2003. Saveski nga viti 2016 është gjykatës në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion. Më herët, nga viti 2009 deri në vitin 2016, punoi si prokuror publik në Prokurorinë Themelore Publike, ndërsa nga viti 2004 deri në vitin 2009, ishte bashkëpunëtor profesional në Gjykatën Themelore në Gostivar. Në atë gjykatë prej vitit 2000 deri në vitin 2002 punoi si praktikant gjyqësor.

Nga angazhimet eksperte dhe ndërkombëtare në biografinë e gjykatësit Saveski, është theksuar se ishte ekspert në OSBE Maqedoni, ekspert në Konventën Kombëtare për BE-në – Kapitulli 23, si dhe ekspert në projekte të Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe USAID-it.

Ai është anëtar i grupeve të punës për reformat gjyqësore dhe ligjore. Ka punuar në projekte mbi masat speciale hetimore, paraburgimin dhe për procedurën penale.

Gjatë karrierës së tij akademike, Saveski ka qenë ligjërues në Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, tutor dhe trajnues kombëtar në programin HELP të Këshillit të Evropës, si dhe trajnues në të drejtat e njeriut dhe të drejtën penale.

Ai është autor dhe bashkautor i punimeve për: masat speciale hetimore, lirinë e shprehjes, shpifjen dhe fyerjen, konfiskimin e pronës, të drejtën e privatësisë, si dhe të disa udhëzuesve dhe botimeve profesionale.

Flet gjuhën maqedonase, angleze, gjermane, serbe dhe shqipen në nivel bazë.

Paraprakisht, në vendin e Lupço Kocevskit, i cili dha dorëheqje të parevokueshme në dhjetor të vitit të kaluar, erdhi prokurorja Topollova – Isajllovska si u.d. prokurore shtetërore publike, e cila ishte kandidate e vetme, por nuk mund të jetë në këtë pozitë më shumë se gjashtë muaj.

Në rend dite të mbledhjes së sotme janë edhe propozimi për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të cilin e zgjedh Kuvendi. Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime përcaktoi propozim listën nga dy kandidatë edhe atë Sejfulla Osmani, doktor i shkencave juridike me provim të jurisprudencës nga Gradeci, Vrapçisht dhe Arbër Isaku, jurist i diplomuar me provim të jurisprudencës nga Tetova.

Deputetët duhet ta përcaktojnë edhe nevojën për miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor dhe ndryshime të Ligjit për përcaktimin e interesit publik dhe emërime të partnerit strategjik për zbatimin e Projektit për ndërtimin e Korridorit 8 (seksioni: Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe Projekti për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë) dhe Korridorit 10 d (seksioni i autostradës Prilep – Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të dyja me procedurë të shkurtër.

Në seancë plenare mund të pritet në rend dite të vendoset edhe propozimi që Aco Ristov të zgjidhet kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë pas dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm Marko Bislimoski. Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve e propozoi dje Ristovin kryetar të Komisionit Rregullator për Energjetikë. Ristov është inxhinier elektrik me përvojë shumëvjeçare udhëheqëse në sektorët energjetikë, hidroenergji, furnizim me ujë, trajtim i ujërave, miniera dhe sisteme infrastrukturore.

Të ngjajshme

Të fundit