-4.2 C
Skopje
E diel, 28 Dhjetor, 2025

Sedat Baftiu denoncon diskriminimin ndaj sportistëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut

Profesori dhe njohësi i çështjeve sportive, Sedat Baftiu, ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan ai, diskriminimit të vazhdueshëm ndaj sportistëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në një deklaratë publike të drejtpërdrejtë dhe të pa rezervë, Baftiu ngre shqetësimin për mungesën e përfaqësimit të denjë të sportistëve shqiptarë në strukturat drejtuese të sportit, informon POPULLI.mk. 

Sipas tij, për më shumë se dy dekada, drejtimi i sportit në vend ka qenë i rezervuar për persona të afërt me partitë politike dhe jo për profesionistë të vërtetë të fushës.

“Sportin duhet ta udhëheqin aktivistë të afërt me kryetarët e partive, ose njerëz që u plotësojnë egot atyre që ‘vrapojnë’ e që kanë borxhe ndaj tyre,” thekson Baftiu.

Ai shpreh indinjatën për mënyrën si politikanët afrohen te sportistët vetëm në momentet e suksesit, për të marrë merita të pamerituara.

“Na habit pafytyrësia e atyre që s’kanë dhënë asnjë kontribut për sportin, por sapo një sportist arrin një sukses, afrohen për foto dhe lavdërojnë veten sikur na kanë përkrahur,” shkruan ai, duke shtuar se sportistët kanë heshtur deri tani vetëm nga modestia.

Baftiu gjithashtu ironizon me faktin se sportistët tashmë po marrin përsipër të përfaqësojnë edhe fusha të tjera shoqërore, pasi sipas tij, profesionistët nga fusha të ndryshme nuk kanë pasur guximin ose kompetencën për të ngritur zërin për të drejtat e tyre.

Në përfundim, ai lëshon një thirrje të fuqishme për vetëdijesim dhe reagim:

“Ka ardhur fundi. Zgjohuni, vetëdijesohuni – sepse na keni marrë në qafë!”

Reagimi i Baftiu vjen në një kohë kur diskutimi për përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë të shqiptarëve në të gjitha fushat e jetës, përfshirë sportin, është rikthyer me intensitet në debatin publik. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit