Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka reaguar pas sulmit fizik ndaj një të riu shqiptar në Manastir, duke e cilësuar atë si një akt të organizuar dhe jo një incident të izoluar, informon POPULLI.mk
“Sot autorët dhe porositësit madje edhe mburren publikisht me veprimin e tyre. Për të mos mjaftuar ky rast, tifo grupi ‘Çkembari’ me tone nacionaliste paralajmëron sulme të tjera dhe kërcënon shqiptarët dhe komunitetet e tjera, ndërsa MPB dhe institucionet shtetërore heshtin duke bërë spektatorin”, shkruan Sela.
Ai thekson se në një postim publik të këtij grupi përdoret gjuhë e urrejtjes ndaj shqiptarëve, madje edhe ndaj flamurit kombëtar shqiptar, i cili është i garantuar me Kushtetutë. Sipas Selës, një veprim i tillë cenon rendin kushtetues, ndërsa organet shtetërore vazhdojnë të mos reagojnë.
“Po hesht MPB, po hesht edhe zëvendësministri shqiptar në këtë ministri, po heshtin ministrat e tjerë dhe Prokuroria. Kush do t’i mbrojë qytetarët shqiptarë nga këto kërcënime që bëhen haptas nga ky grup?”, pyet Sela. / © POPULLI.mk
