29.9 C
Skopje
E hënë, 15 Qershor, 2026

Selami: Koha për një Bit Pazar të pastër, të rregullt dhe dinjitoz

Bit Pazari, një nga shtyllat kryesore të ekonomisë lokale dhe vendi ku ka rrahur gjithmonë zemra e Çairit, ishte sot në qendër të vizitës së Abdulselam Selamit. Ai theksoi se kjo hapësirë, që për dekada ka ushqyer tregtinë dhe jetën e qytetit, ka nevojë për një transformim të madh për t’iu rikthyer plotësisht dinjiteti i saj, informon POPULLI.mk

Selami prezantoi planin e tij të detajuar, i cili përfshin:

  • Ndriçim modern në çdo cep të Bit Pazarit.

  • Zgjidhje afatgjata për problemin e parkingjeve.

  • Kushte më të mira për tregtarët, përmes bashkëpunimit me kompaninë menaxhuese.

Në qendër të këtij plani qëndron themelimi i një ndërmarrjeje komunale me 120 të punësuar, të uniformuar, të cilët do të kujdesen çdo ditë për higjienën dhe rendin.

Një tjetër element kyç është lidhja e Bit Pazarit me Çarshinë e Shkupit, për ta shndërruar në një atraksion të veçantë turistik, si dhe krijimi i një këshilli të përhershëm mes komunës, kompanisë dhe tregtarëve, që do të garantojë zhvillim të qëndrueshëm.

“Qëllimi ynë është i qartë. Ta kthejmë këtë hapësirë në një zonë me dritë, rend dhe dinjitet, ku tradita, biznesi dhe turizmi të ecin krah për krah”, u shpreh Selami.