Por, Bullgaria mban të drejtën e vetos nëse pala maqedonase nuk i miraton ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në preambulës e saj, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me atë që njihet si propozimi francez për zgjidhjen e kontestit.
Ndryshimet e domosdoshme kushtetuese
Ndryshimet kushtetuese kundërshtohen nga opozita maqedonase, VMRO DPMNE, e cila druan se Sofja do të vazhdonte me kushtëzimet edhe sikur të mbështeste ndryshimin e Kushtetutës.
Opozita doli edhe me nismën për referendum kundër Marrëveshjes me Bullgarisë, por ajo u bllokua në Kuvend me arsyetimin se ishte e “paligjshme”.
“Asgjë nuk ka mbaruar, së bashku do të fitojmë, deputetët me deklarata të noterizuara zotohen se nuk do t’i miratojnë amendamentet kushtetuese. Nëse kjo marrëveshje do të ishte kaq e mirë për Maqedoninë, deputetët nuk do të ruheshin nga policia si në Bejrut…Ne do të marrim rrugën më të gjatë. Por, besoni se do të fitojmë”, pati deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas votimit të propozimit francez.
Analisti Marko Trashanovski thotë se ndryshimet duhet të bëhen, në të kundërtën procesi i integrimit në BE do të bllokohet.
“Në planin politik sfida kryesore do të jetë miratimi i ndryshimeve kushtetuese. Këtë duhet ta bëjmë gjatë vitit 2023, në të kundërtën bisedimet me BE-në nuk do të vazhdojnë. Shqipëria do të ndahej nga ne dhe do të vazhdonte bisedimet, që për ne, si shtet, do të ishte katastrofale. Presioni për zgjedhje do të rritej sikur edhe pasiguria në vend. Do të jetë një vit shumë i vështirë duke parasysh edhe sfidat tjera që na presin”, konsideron Trashanovski.
Zgjerimi i shumicës ose zgjedhje të reja
Në rast se shumica nuk arrin ndryshojë Kushtetutën atëherë ka dy opsione, ose të zgjerojë Qeverinë edhe me partitë shqiptare në opozitë dhe të kërkojë mbështetjen e ndonjërit prej deputetëve të VMRO DPMNE-së; ose të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, që kërkohen nga partitë opozitare.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2022 ishte joefikas për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe shumicës jostabile. Shumë ligje që kërkojnë dy të tretat nuk janë miratuar.
Kriza ekonomike dhe energjetike, të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë goditën edhe Maqedoninë e Veriut.
Çmimet e produkteve ushqimore shënuan rritje rekorde që nxitën reagime e protesta për shkak të goditjes së standardit të qytetarëve.
Masat e Qeverisë për ndihmë përmes subvencioneve nuk ndihmuan për zbutjen e pasojave. Ndërkohë institucionet u përballën edhe me përpjekje për destabilizim përmes kërcënimeve me bomba, që nga drejtuesit e Qeverisë u cilësuan si “luftë hibride”.
Maqedonia e Veriut ishte ndër të parat që mbështeti rezistencën e Ukrainës përballë agresionit rus, ndërsa miratoi të gjitha vendimet e BE-së për sanksione ndaj Moskës./REL
