8.8 C
Skopje
E hënë, 31 Mars, 2025

SHBA-Ukrainë, larg dakordësisë për mineralet

Kushtet e një marrëveshjeje për mineralet midis Ukrainës dhe SHBA-së nuk janë finalizuar ende, sipas zyrtarëve ukrainas.

Propozimi i fundit i SHBA-së do të kërkonte që Kievi t’i dërgonte Uashingtonit të gjitha fitimet nga një fond që kontrollon burimet e Ukrainës, derisa Kievi të ketë shlyer të gjithë ndihmën amerikane, sipas Reuters.

Zëvendëskryeministrja ukrainase Julia Svyrydenko u tha ligjvënësve se Kievi do të nxjerrë qëndrimin e tij për draftin e ri vetëm pasi të ketë konsensus. Mykhailo Podolyak, një zyrtar i lartë në zyrën e Presidentit Volodymyr Zelensky, i tha Reuters se nuk do të ketë asnjë draft të finalizuar për momentin: “Konsultime ende po ndodhin”, tha ai, duke refuzuar të japë detaje më tej.

Administrata Trump ka bërë presion ndaj Kievit për javë të tëra që të nënshkruajë një marrëveshje. Zelensky ka thënë vazhdimisht se e pranon idenë, megjithëse nuk do të nënshkruajë një marrëveshje që do të varfëronte vendin e tij.

Ndër të tjera presidenti ukrainas ka deklaruar se Uashingtoni po ndryshon vazhdimisht kushtet, por nga ana tjetër ai nuk donte që SHBA të mendonte se Ukrainë është kundër në parim.

Në dokument parashikohet se Uashingtonit i jepen të drejtat e para për të blerë burimet e nxjerra dhe për të rikuperuar të gjitha paratë që i ka dhënë Ukrainës që nga viti 2022, plus interesin me një normë vjetore prej 4%.

Fondi i përbashkët i investimeve do të menaxhohet nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA dhe do të ketë një bord prej pesë personash, tre të emëruar nga SHBA dhe dy nga Ukraina.

Klan News

Të ngjajshme

Të fundit