20.8 C
Skopje
E mërkurë, 17 Shtator, 2025

Shënimi i MO-së, mision i suksesshëm i zv/kryeministrit të parë Izet Mexhiti

Ky 23 vjetor i Marrëveshjes së Ohrit, një ngjarje e cila ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në historinë e re të Maqedonisë së Veriut, u shënua nga një organizim që ktheu vëmendjen e opinionit publik. Ndërsa lajmet e rreme përpiqeshin të atribuonin këtë organizim diku tjetër, e vërteta qëndron se ishte zv/kryeministri i parë, Izet Mexhiti ai që qëndronte pas organizimit të këtij përvjetori të rëndësishëm.

Shkruan POPULLI.mk

Zv/kryeministri i parë, Izet Mexhiti arriti ta realizojë atë që ish-kryetari i partisë së tij të mëparshme BDI, Ali Ahmeti një dekadë bashkëqeverisjeje me Gruevskin nuk arriti që ta sjellë atë në këtë ngjarje as edhe në koktej. Mexhiti e solli liderin e VMRO, njëherit kryeministër i vendit, Hristijan Mickoski, në këtë ngjarje historike. Ky akt është më shumë se thjesht ftesë e respektuar; është një shenjë e fuqishme e vullnetit për dialog dhe bashkëpunim mes komuniteteve, një arritje e cila nuk u realizua asnjëherë gjatë 11 viteve të bashkëqeverisjes së Ali Ahmetit me Nikolla Gruevskin.

BDI u përpoq t’ia humb efektin kësaj arritjeje të Mexhitit, ndoshta nga ndjenja e inferioritetit që një lider tjetër politik arriti atë që ata nuk mundën ta bëjnë për kaq vite. Megjithatë, fakti që Marrëveshja e Ohrit u shënua në një atmosferë institucionale dhe dinjitoze, larg muzikës dhe ahengjeve të viteve të kaluara ku dominonin tekste degjeneruese, tregon për pjekurinë dhe seriozitetin që Mexhiti dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë dhënë kësaj ngjarjeje.

Ky shënim solemn dhe institucional jo vetëm që nderoi Marrëveshjen historike të Ohrit, por edhe e ngriti atë në nivelin që meriton. Kjo ngjarje u bë një rast për reflektim mbi arritjet dhe sfidat e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut, një proces që kërkon vazhdimisht përkushtim dhe vullnet të palëkundur për të ecur përpara.

Në një kohë kur shpeshherë çështjet e rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare përfundohen në skuta të errëta dhe të zhurmshme, ky organizim institucional i Mexhitit ka dërguar një mesazh të qartë: për të ruajtur dhe për të forcuar arritjet e përbashkëta, duhet të jenë të përkushtuar ndaj dialogut dhe bashkëpunimit, dhe të qëndrojnë sa më larg manipulimeve të së vërtetës. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit