8.8 C
Skopje
E mërkurë, 7 Janar, 2026

Shkup / Besimtarët ortodoksë festojnë Badnikun para Krishtlindjes

Besimtarët e krishterë ortodoksë në vend sot festojnë Badnikun, ditën para festës së madhe të Lindjes së Krishtit – Krishtlindjes.
Shënimi i Badnikut në Shkup do të nisë para Katedrales “Shën Klimenti i Ohrit”, në organizim të Shoqatës së qytetarëve “Këshilli për festimin tradicional të Badnikut”.
Sipas njoftimeve të organizatorëve, ashtu si vitin e kaluar, shpërndarja e degëve të badnikut do të zhvillohet në oborrin e kishës, nga ana e bulevardeve “Partizanski Odredi” dhe “Shën Klimenti i Ohrit”.
Kumbar i shënimit të këtij viti është biznesmeni Zoran Kondratenko, ndërsa shëndetdhënës (orator i urimeve) është muzikanti Jakov Drenkovski.
Pas bekimit të degëve, ngritjes së flamurit të Badnikut dhe këndimit të himnit të Badnikut, kumbari Kondratenko dhe shëndetdhënësi Drenkovski, së bashku me përfaqësues të Këshillit, do të vizitojnë Shtëpinë e të Moshuarve në Zllokuqan, ku do t’u dhurojnë dhurata simbolike banorëve, për t’ua afruar atmosferën festive në prag të Krishtlindjes dhe për të ndarë gëzimin dhe lumturinë që sjell kjo festë e madhe e krishterë.
Kumbari dhe shëndetdhënësi i ri, pas qëndrimit në Zllokuqan, do të drejtohen drejt Katedrales, ku më herët me karrocë (pajton) do të mbërrijnë kumbari i vitit të kaluar Rade Makelarski dhe shëndetdhënësi Atanas Petrov. Më pas, në praninë e kreut të Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit, z. z. Stefan, dhe klerikëve, do të zhvillohet ceremonia e dorëzimit të enës së Badnikut kumbarëve të rinj, pas së cilës do të mbajë fjalim kreu i Kishës dhe do të bekohet kulaçi.
Pas përfundimit të ceremonisë, kumbari i ri me enën e Badnikut, së bashku me shëndetdhënësin, do të largohen nga katedralja “Shën Klimenti i Ohrit” me karrocë dhe do të drejtohen drejt shtëpive të tyre.

Të ngjajshme

Të fundit