Edhe sot kaos në transporti publik në Shkup, për shkak të mungesës së derivateve për autobusët të NPQ Shkup.
Në Shkup prej dje pasdite qarkullojnë vetëm 25 autobusë, ndërsa të tjerët janë të parkuar në auto-bazat e NPQ “Shkup” në Autokomandë dhe Gjorçe Petrov për shkak të mungesës së derivateve.
Afrim Muça, kryetar i Sindikatës së pavarur të shoferëve në NPQ “Shkup” deklaroi se gjendja është shumë serioze, madje edhe alarmante, siç tha, pothuajse 70 për qind e automjeteve janë të parkuara.
“Përgjigja është e thjeshtë, nuk ka naftë. Shoferët u thirrën të vijnë në punë, por ata janë në bazat në Autokomandë dhe në GJorçe Petrov së bashku me autobusët sepse nuk ka naftë dhe TNG. Për momentin mendoj se rreth 70 për qind e autobusëve të NPQ-së janë të parkuar në baza. Nëpër qytet qarkullojnë një numër i vogël i autobusëve me dy ndërrime të cilët janë të furnizuar me naftë para dy ditëve, si dhe automjetet me TNG. Për funksionim normal të NPQ-së, në baza ditore nevojiten 25 tonë naftë, që nuk e morëm. Naftën zakonisht na e sjellë “Pucko Petrol” në bazat e NPQ “Shkup”, por sepse kemi borxh një shumë të madhe parash, këto ditë nuk po na sjellin naftë. Në NPQ “Shkup” punojnë 1.200 njerëz dhe nuk do të lejojmë askush të luajë me fatet e tyre”, tha Muça.
Paralajmëroi se është e mundur sot fare të mos qarkullojnë autobusët nëse nuk u dërgohen derivate. Theksoi se Sindikata e pavarur e shoferëve në NPQ “Shkup” nga e premtja do të vendosë për veprimet e mëtejme që do të ndërmerren nëse nuk rregullohet gjendja në ndërmarrjen publike të qytetit.
Edhe Miqo Stojanovski nga LSM NPQ Shkup konfirmoi se problemi me transportin publik urban në Shkup dhe numri i vogël i autobusëve të cilët qarkullojnë nëpër qytet është për shkak të mungesës së derivateve. Nuk ka distribuim të naftës nga “Pucko Petrol” për NPQ “Shkup” për shkak të borxhit të madh.
“Shkak për atë është raporti i ndërsjellët mes kryetares së Qytetit, Danella Arsovska, kryetarit të Këshillit të Qytetit të Shkupit, Trajko Sllaveski dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe vendimeve që i sjellin. Pati paralajmërim nga Qyteti i Shkupit se do të normalizohet dërgimi i naftës për NPQ-në, por kjo nuk po ndodhë. Probleme me naftë ka edhe NP “Higjiena komunale” Shkup për shkak se vetëm disa nga kamionët mbledhin mbeturina. Prandaj të gjitha sindikatat e ndërmarrjeve publike të qytetit planifikojmë nga e hëna të mbajmë takim të përbashkët në të cilin do të vendosim çfarë masash do të ndërmarrim”, deklaroi Stojanovski.
Ndërkohë, janë paralajmëruar protesta publike për shkak të gjendjes me transportin në qytet. Kryetari i Komunës Shuto Orizarë, Kurto Dudush, u bëri thirrje të gjithë banorëve për protestë, të premten, 22 nëntor. Me kërkesë për normalizim të transportit publik dolën edhe studentët e USHCM-së, ndërkaq në të kundërtën paralajmëruan se do t’i bashkëngjiten protestës së paralajmëruar nga kryetari i Komunës së Shuto Orizares.
Nga Qyteti i Shkupit përgjegjësinë lidhur me krizën që u krijua në NPQ që mbeti pa naftë, ia hedhin këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së dhe drejtoreshës së Byrosë për furnizime publike për shkak të procedurës së anuluar për furnizim të derivateve për autobusët.
Kryetari i Këshillit të Qytetit, Trajko Sllaveski mbrëmë kumtoi se është caktuar mbledhje e Këshillit për sot në orën 18:00.