Nga Lidhja Shqiptare sot akuzuan se po u bëhet padrejtësi në parashtrimin e pyetjeve të deputetëve, përcjell TV21. Nga kjo parti thonë se deputetët që janë të organizuar në grup parlamentar kanë përparësi në listën për parashtrim të pyetjeve.
“Z. Gashi, nëse keni marrëveshje me BDI-në, në mënyrë që të ngelim në hije deputetë e tjerë që vijnë nga partitë e tjera, kjo është çështje e juaja. Nëse ka diçka të tillë, ne do t’ua çjerrim këtë maskë”, tha Ziadin Sela, kryetar i LSH-së.
“Pavarësisht emrit tim ku jam e radhitur në listë, jam e fundit kësaj here, nuk dua t’i jap kuptimin personal, por dua të flas mbi këtë shkelje që i bëhet demokracisë dhe fjalës së lirë”, tha Ilire Dauti, deputete e LSH-së.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi tha se radhitja e deputetëve për parashtrim të pyetjeve bëhet sipas Rregullores.
“Nuk ka asnjë padrejtësi, radha për parashtrimin e pyetjeve të deputetëve është paraparë në nenin 41, paragrafin e dytë”, tha Gashi.
Për akuzat e Selës për marrëveshje mes Gashit dhe BDI-së , reagoi deputetja e BDI-së, Dijana Toska.
“BDI asnjëherë nuk ka lobuar që të jetë i pari apo i dyti në radhitjen e pyetjeve të deputetëve. Kjo natyrshëm në bazë të numrit të deputetëve i ka takuar dhe nuk mund të na apostrofoni neve si koalicion, sidomos si BDI, se gjoja kemi ndonjë marrëveshje me kryetarin apo me subjektet politike që janë në pushtet, se bëjmë ndonjë marrëveshje për radhitje të deputetëve, kjo është e përcaktuar me ligj”, tha Dijana Toska, deputete e BDI-së.
Pas kësaj, kryeparlamentari Gashi dha pauzë prej gjysmë ore, për t’u koordinuar me koordinatorët e grupeve parlamentare, pasi seanca bllokohej vazhdimisht përmes proceduraleve.




